Showbiz

Çfarë po ndodh me perandorinë e bizneseve të P.Diddyt pas dënimit të tij?

Reagimi i P.Diddyt pas vendimit të gjykatës

Foto: Associated Press

Sean “Diddy” Combs është shpallur i pafajshëm për akuzat për trafikim seksual dhe komplot kriminal, por kjo nuk do të thotë se perandoria e tij shumëmilionëshe po ringjallet, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.

Megjithëse u lirua nga disa akuza federale, Combs u shpall fajtor për organizim prostitucioni, një shkelje e ligjit federal amerikan të njohur si Mann Act, që ndalon transportimin e personave për qëllime seksuale ndër shtete. Ai do të qëndrojë në paraburgim derisa të shpallet lartësia e dënimit. 

Bizneset që janë rrënuar

Edhe përpara arrestimit, pjesa më e madhe e bizneseve të Combs kishin nisur të shënonin rënie. Ai u largua nga Revolt TV – rrjeti televiziv që e themeloi në vitin 2013 dhe që ishte fokusuar në kulturën hip-hop, drejtësinë sociale dhe dokumentarët.

Sipas raportimeve, ai humbi edhe marrëveshjen për një reality show në televizionin Hulu, ndërsa marka e tij e dikurshme ikonë, “Sean John”, u zhduk nga raftet e qendrës së njohur tregtare “Macy’s”.

Një adhuruues që mbante bluzën "Sean John" pranë ndërtesës së gjykatës në New York, gjatë gjykimit të Combs

Pas publikimit të një videoje të dhunshme, ku shfaqej duke sulmuar fizikisht këngëtaren Cassie në vitin 2016, reagimet ishin të menjëhershme.

Autoritetet e qyteti të New Yorkut ia terhoqën “çelësin ceremonial” që ia kishin dhënë në shenjë nderimi.

“Peloton”, kompania amerikane që shet pajisje për stërvitje në shtëpi, e që ofron kurse online përmes abonimit, largoi muzikën e Combs nga platforma, të cilën e përdorte gjatë klasave të ushtrimeve.

Universiteti Howard ia anuloi diplomën e nderit që ia kishte dhënë.

Shkolla charter që është shkollë publike që funksionon në mënyrë të pavarur nga sistemi i shkollave tradicionale në Harlem shkëputi çdo lidhje me reperin, i cili kishte ndihmuar në hapjen e saj. 

Në vitin 2023, Combs e mbylli një proces gjyqësor me gjigandin britanik të pijeve “Diageo”, duke u tërhequr nga padia dhe duke lënë kompaninë si pronaren e vetme të pijeve të famshme “Ciroc” dhe “DeLeon”.

Çfarë ndodh me muzikën e tij?

Megjithë skandalet, katalogu muzikor i Combs mbetet aktiv në platformat si Spotify, Apple Music dhe Amazon Music. Nuk ka sinjale se këto platforma do të kufizojnë apo largojnë muzikën e tij.

Në fakt, sipas Luminate, muzika e tij pati rritje prej rreth 20 për qind në transmetimet digjitale në SHBA në mes të muajve prill dhe maj të këtij viti, pikërisht gjatë fazave të ndjeshme të gjyqit, ku dëshmuan yje si Cassie dhe Kid Cudi. Megjithatë, në muajin qershor u vu re një rënie prej 5-10 për qind.

Në vitin 2023, ai publikoi albumin “The Love Album: Off the Grid”, projekt i nominuar për çmimin “Grammy”, ndërsa artistja Janelle Monáe, përmes Bad Boy Records, publikoi albumin “The Age of Pleasure”, i cili mori vlerësime të larta dhe u nominua për çmimin “Incizimi i vitit”.

Në prag të publikimit të albumit, Combs befasoi publikun duke ua kthyer të drejtat e publikimeve ish-artistëve të labelit të tij, një hap që u interpretua si përpjekje për të rregulluar reputacionin e dëmtuar.

Megjithatë, Bad Boy Records, sado që është ende funksionale, nuk ka paralajmëruar projekte të reja. Javën e kaluar, djali i tij, King Combs, në bashkëpunim me reperin Ye (Kanye West), publikoi papritur një këngë të titulluar “Never Stop”, në shenjë mbështetjeje për të atin. Projekti u publikua përmes platformës Goodfellas Entertainment.

A rrezikohet pasuria e Diddyt?

Deri tani, Combs ka përballuar disa padi për dhunë seksuale e fizike. Me Cassien, ai arriti një marrëveshje prej 20 milionë dollarësh, por shumica e padive të tjera janë ende në pritje.

Ai dhe avokatët e tij i kanë mohuar akuzat dhe i kanë cilësuar paditësit si “persona që kërkojnë të përfitojnë financiarisht”.

Sipas prokurorëve federalë, në rast dënimi, mund t’i konfiskohen pasuri, përfshirë prona që janë përdorur për të kryer krime. Nuk është ende e qartë nëse kjo do të ndodhë apo do të jetë pjesë e vendimit përfundimtar të gjykatësit.

Çfarë ndodhi me Empower Global?

Në vitin 2023, Combs ka lansuar Empower Global, një platformë që promovonte markat në pronësi të afro-amerikanëve. Ai e përshkroi projektin si një version modern të “Black Wall Street”, duke investuar 20 milionë dollarë nga fondet e tij personale.

Platforma nisi me 70 marka, me synimin për të arritur mbi 200 deri në fund të vitit. Por, ndërsa akuzat ndaj Combsit u shtuan, disa biznese e braktisën platformën, duke përmendur rezultatet e dobëta dhe shqetësimet për sjelljen e tij.