Disenjatori francez, Pierre Cardin, i cili bëri emër me anë të shitjes së veshjeve të disenjuara për masat, dhe që u zgjerua me anë të shtrirjes së veprimtarisë nga veturat deri në parfume, ka vdekur të martën në moshën 98-vjeçare.
Gjatë karrierës më shumë se 60-vjeçare, Cardin ka tërhequr sa përbuzje po aq edhe admirim nga disenjatorët e tjerë të modës për sensin e tij të zgjerimit të branshit. Ka lënë shenjë në pasarelat me anë të fustaneve të tija futuristike dhe prerjet gjeometrike.
Cardin, i cili ishte mentor i disenjatorëve si Jean Paul Gaultier, ishte aktiv në qarkun e modës deri në fund, duke u bërë urdhërrëfyes për disenjatorët e rinj, duke marrë pjesë në ahengje dhe duke e vizituar rregullisht zyrën e tij në Paris.
“Faleminderit zotëri Cardin që më hape dyert e modës dhe që bëre që ëndrra ime të mund të bëhet realitet”, ka shkruar Gaultier në Twitter.
Ai ishte i njohur për stilin e tij avangardë dhe për modelet e Epokës Hapësinore.
Edhe
Rikthimi i Gallianos
Përveç veshjeve të modës, Cardin njihej edhe për markën e parfumeve, stolive, orëve dhe stilolapsave.
Cardin u lind në Venecie të Italisë në vitin 1922, por ishte vendosur në Francë si fëmijë. Familjarët e disenjatorit kanë bërë të ditur se ai ka vdekur në Spitalin Amerikan në Paris, në Neuilly-sur-Seine.
Gjatë karrierës mbi gjashtë dekadash, Cardin mburrej me faktin se kishte arritur ta ndërtonte perandorinë e tij pa kërkuar kurrë kredi në ndonjë bankë.
Pierre Cardin ishte disenjatori i parë që i shiti koleksionet e rrobave nëpër dyqane, nga fundi i viteve 50’ dhe i pari që hyri në biznesin e licencimit të parfumeve, aksesorëve e madje edhe ushqimeve të ndryshme, të cilat sot janë produktet kryesore të fitimit për shumë shtëpi të njohura të modës.
Sado e vështirë të jetë për t’u imagjinuar, dekada më vonë çokolatat “Armani”, hotelet “Bulgari” dhe syzet e diellit “Gucci”, që të gjitha bazohen në idenë e Cardinit se glamuri i një marke mode e ka potencialin e pafund në tregun e përgjithshëm.
Gjatë viteve emri i Pierre Cardinit ishte vulosur në produkte të ndryshme, qoftë edhe ato që nuk kishin fare të bëjnë me modën, por disenjatorin nuk e bezdiste një gjë e tillë. Konkurrentët e tij e akuzuan se po e shkatërronte vlerën e markës së tij të modës, dhe nocionin e luksit në përgjithësi. Por ai dukej plotësisht i pandikuar nga këto kritika.
Edhe
Parisi mban zi për Valentino Garavanin, titanin e fundit të epokës së artë të “Haute Couture”
Punën e parë e kishte filluar në moshën 17-vjeçare, duke u angazhuar si punëtor për një rrobaqepës në afërsi të qytetit Vichy, në të cilën kohë ëndërronte për t’u bërë aktor.
Në vitin 1946, ai u bë pjesë e shtëpisë së modës “Christian Dior”, e cila asokohe ishte e panjohur për publikun mbarëbotëror, para se të themelonte markën e tij në vitin 1950. Ndër vite ka krijuar veshje dhe produkte unike, të cilat e kanë vulosur suksesin e tij në fushën e modës, si dhe i ka prezantuar koleksionet e tij të rrobave anembanë globit.
Cardin u zgjerua edhe në biznese të tjera, duke e blerë restorantin përrallor të Parisit, “Maxim’s” në vitet ’80, dhe duke e krijuar zinxhirin e restoranteve të ushqimit të shpejtë, “Minim’s”.
Për krijimin e koleksionit të fundit të prezantuar në shkurt të këtij viti, Cardin bashkëpunoi me një disenjator shtatë dekada më të ri.
27-vjeçari Pierre Courtial e prezantoi koleksionin në studion e Cardinit në rrugën e famshme të Parisit “Rue Saint-Honore”, me disa kreacione që nderonin stilin gjeometrik të disenjatorit veteran.
Edhe
Valentino Garavani – perandori i fundit i modës
Cardin gjithmonë ka thënë se, mbi të gjitha, më së shumti e çmon origjinalitetin.
“Unë gjithmonë kam provuar të jem ndryshe dhe të jem vetvetja. Fakti a e pëlqejnë njerëzit stilin tim, nuk ka fare rendësi për mua”, kishte deklaruar disenjatori i ndjerë. \ Reuters