Disenjatori i famshëm francez, Thierry Mugler, kreacionet dramatike të së cilit janë veshur nga yjet e showbizit si, Madonna, Lady Gaga dhe Cardi B, ka vdekur në moshën 73-vjeçare.
Ikona e modës vdiq të dielën derisa lajmi u bë i ditur përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Instagram.
“Shpirti i tij pushoftë në paqe”, shkruhej në postimin e shoqëruar me një fotografi të zezë.
Ende nuk janë dhënë detaje rreth shkaktarit të vdekjes së disenjatorit.
Mugler, i cili e themeloi brendin e tij në vitin 1973, u bë i famshëm anembanë botës për stilin arkitektonik të veshjeve, të përcaktuara nga supet e gjera dhe beli i ngushtë. Përdorimi i materialeve futuristike si plastikë në veshjet e tij të skalitura po ashtu e karakterizonin stilin e tij.
Përgjatë karrierës disa dekadëshe, ai la gjurmë në botën e modës duke veshur yje të shumtë nëpër gala mbrëmje, ngjarje me qilim të kuq dhe pasarela të ndryshme. Disa prej klienteve të tij të famshme ishin: Diana Ross, Beyonce, Madonna, Lady Gaga, Kim Kardashian, Miley Cyrus, Rita Ora, Dua Lipa dhe të tjerë.
Përveç rrobave, Mugler krijoi filma dhe fotografi. Po ashtu shquhej si balerin, akrobat dhe person i pasionuar pas fitnesit, duke theksuar se ai gjithmonë dëshironte ta eksploronte trupin e njeriut si art.
“Gjithmonë jam ndier si regjisor dhe kreacionet e mia të rrobave ishin një formë e shprehjes së përditshmërisë”, kishte deklaruar Mugler për revistën “Interview”.
Ende nuk janë bërë publike detaje rreth funeralit të disenjatorit apo nëse do të mbahet ndonjë ceremoni përkujtimore në nderë të tij.
{gallery}