Showbiz

Cardi B pranon fajësinë për përleshjen në një klub striptizi

Cardi B ka pranuar fajësinë për dy vepra penale të shkaktuara nga një përleshje në një klub striptizi, si pjesë e një marrëveshjeje sipas së cilës, ajo do të shmangë një gjyq dhe burgim të mundshëm.

Reperja fituese e “Grammy”, emri i vërtetë i së cilës është Belcalis Almanzar, u deklarua fajtore për sulm të shkallës së tretë dhe rrezikim të pamatur të shkallës së dytë, dhe u dënua me 15 ditë shërbim në komunitet.

Dhjetë akuza të tjera u hodhën poshtë.

“Kam marrë disa vendime të këqija në të kaluarën time, të cilat nuk kam frikë t'i përballoj dhe t'i pranoj”, tha ajo në një deklaratë.

Në gjykatë, 29-vjeçarja e pranoi organizimin dhe pjesëmarrjen në dy sulme ndaj punonjësve të klubit të natës “Angels” në New York, në vitin 2018.

Sipas autoriteteve, incidentet erdhën pas një grindjeje mes Almanzar dhe dy motrave – njëra prej të cilave ajo besonte se kishte një lidhje me bashkëshortin e saj, reperin Offset.

Prokurorët thanë se natën e parë, Almanzar dhe shoqëruesi i saj goditën viktimën dhe një banakier, duke ua tërhequr flokët, duke i goditur me grusht dhe duke i përplasur. Dy javë më vonë, ata u kthyen duke i hedhur alkool, shishe dhe një tub nargjile motrës së viktimës së parë.

E pyetur për të konfirmuar detajet në gjykatë, Almanzar e bëri këtë në heshtje, duke pranuar se i kishte ofruar një shoku 5,000 dollarë në Instagram për ta ndihmuar atë në konfrontim.

Përveç shërbimit në komunitet, reperja është urdhëruar të qëndrojë larg viktimave, të identifikuara si Jade dhe Baddie Gi, për tre vjet.

Ajo e pranoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë një ditë përpara se çështja të dilte në gjyq, raportoi New York Times.