Ish çifti i njohur i Hollywoodit, Brad Pitt dhe Angelina Jolie vazhdojnë përplasjen ligjore që po zgjatë prej vitesh, dhe tashmë aktori k a kërkuar komunikimet private të ish-bashkëshortes së tij, si pjesë e procesit gjyqësor për pronësinë e kantinës së verës Château Miraval, me vlerë rreth 500 milionë dollarë, ka raportuar People.
Çifti, që u nda në vitin 2016, ka qenë në mosmarrëveshje të vazhdueshme që kur Jolie shiti pjesën e saj të aksioneve në vitin 2021 kompanisë se verërave “Tenute del Mondo”, një degë e grupit Stoli, që prodhon pije alkoolike.
Pitt pretendon se ajo e bëri këtë pa miratimin e tij, duke shkelur një marrëveshje të mëparshme mes tyre që asnjëri nuk do të shiste aksionet pa aprovimin e tjetrit.
Në dokumentet e dorëzuara më 30 qershor në një gjykatë të Kalifornisë, të siguruara nga revista People, ekipi ligjor i Pittit shkruan se kërkesa lidhet me akuzën kryesore që ka ngritur aktori kundër shitjes së pronës.
“Këto kërkesa lidhen drejtpërdrejt me akuzat kryesore që Pitt ka ngritur kundër shitjes dhe plotësojnë pa diskutim kriteret për zbulueshmëri, pasi ai pretendon se Jolie veproi me qëllim të keq kur i shiti aksionet e saj kompanisë Stoli, një palë me të cilën ajo e dinte se ai nuk pranonte të bashkëpunonte”, thuhet ne dokumente.
Pitt gjithashtu ka kërkuar të marrë në pyetje Alexey Oliynik, një punonjës i grupit Stoli, që sipas aktorit ka dijeni të drejtpërdrejtë për marrëveshjen e shitjes. Por Oliynik, që jeton në Zvicër, ka refuzuar të dorëzojë dokumente apo të dëshmojë, duke thënë se nuk mund të detyrohet ta bëjë këtë nga një gjykatë amerikane.
Jolie, nga ana e saj, i është përgjigjur me një kundërpadi në muajin shtator të vitit 2022, duke e akuzuar Pittin se po zhvillon një “luftë hakmarrëse” kundër saj që prej ndarjes.
Ekipi i saj ligjor pretendon se Pitt refuzoi të blinte aksionet e saj në kantinë, sepse ajo nuk pranoi të nënshkruante një marrëveshje konfidencialiteti (NDA), që sipas saj ishte “dizajnuar për të mbyllur gojën e saj lidhur me abuzimet” që kishte përjetuar. Ata i referohen një incidenti të vitit 2016 gjatë një fluturimi privat nga Franca në Kaliforni, ku Pitt u akuzua se kishte qenë i dehur dhe agresiv ndaj familjes.
Në muajin maj të vitit të kaluar, një gjyqtar urdhëroi Jolien të dorëzonte tetë vjet radhazi dokumente që provonin nëse edhe ajo vetë kishte përdorur NDA-të në mënyrë të ngjashme për të heshtur bashkëpunëtorët apo punonjësit.
Një nga dëshmitarët kyç në këtë proces është Tony Webb, ish-shefi i sigurisë së Angelina Jolie, i cili tani punon për Pitt. Në dokumentet gjyqësore, Webb dëshmon se një nga kontraktorët e ekipit të sigurisë, Ross Foster, kishte dëgjuar Jolien duke u thënë fëmijëve të mos flisnin me Pittin gjatë vizitave të kujdestarisë.
Webb shton se pasi dy nga punonjësit e tij dëshmuan në gjykatë, Jolie e pushoi kompaninë e tij, dhe se kjo ka ndodhur pasi ata kundërshtuan përdorimin e NDA-ve për t’i heshtur.
Avokati i Pitt-it, John Berlinski, ka akuzuar aktoren e filmit “Eternals” për keqpërdorim të NDA-ve me qëllim që “të heshtë ekipin e sigurisë dhe t’u ndalojë atyre të tregojnë të vërtetën në gjykatë për atë që ka ndodhur në prapaskenë”.
Ai shton se pretendimet e Jolie për NDA-në që Pitt i kërkoi të nënshkruante janë hipokrite, pasi “ngjasojnë shumë me mënyrën si ajo vetë i ka përdorur marrëveshjet për të heshtur dëshmitarët e saj”.