Showbiz

Angelina Jolie nuk ka shkuar më kurrë në vreshtin francez pas ndarjes nga Brad Pitt

Angelina Jolie dhe Brad Pitt

Angelina Jolie dhe Brad Pitt

Foto: Associated Press

Aktorja, Angelina Jolie, ka treguar se nuk është kthyer më në pronën e saj të famshme në Francë, "Château Miraval", që nga ndarja me aktorin, Brad Pitt, në vitin 2016. 

Çifti, i cili ishte bashkë për 12 vjet dhe u martua në vitin 2014, është përfshirë në një betejë të gjatë ligjore për pronësinë e vreshtit që dikur ishte “zemra e jetës së tyre familjare”.

“I dhashë Bradit kontrollin (dhe të drejtën e plotë të qëndrimit) në shtëpitë tona familjare në Los Angeles dhe në Miraval, pa asnjë kompensim financiar, me shpresën se kjo do ta bënte më të qetë në sjelljen e tij ndaj meje pas një periudhe të vështirë dhe traumatike”, thuhet në dokumentet gjyqësore të siguruara nga revista People.

Në këto dokmente 50-vjeçja shton se deri tash, ajo dhe fëmijët nuk kanë shkelur më kurrë në atë pronë, për shkak të lidhjes që ka me ngjarjet e dhimbshme që çuan në divorc.

Ajo ka shpjeguar se pas ndarjes filloi menjëherë të kërkonte një shtëpi të re për veten dhe fëmijët.

“Fillimisht mora me qira një shtëpi, ndërsa kërkoja një zgjidhje më të qëndrueshme. Doja të sigurohesha që Brad të mbetej një pjesë e rëndësishme e jetës së fëmijëve tanë, ndaj kërkova të blija një pronë afër shtëpisë së tij. Në atë kohë, kursimet e mia ishin të lidhura me 'Miravalin' dhe nuk i kisha kërkuar Bradit asnjë mbështetje financiare apo alimentacion”, thuhet në dokument.

Jolie, e cila është nënë e Maddoxit 24 vjeç, Pax 21 vjeç, Zahara 20 vjeçe, Shiloh 19 vjeçe dhe binjakëve Vivienne dhe Knox 17 vjeç, ka përshkruar vreshtin si një vend të veçantë për familjen e saj.

“'Miravali' ishte një nga investimet e para të mëdha që bëmë bashkë. Ishte qendra e jetës sonë familjare. U martuam atje, kalova pjesë të shtatzënisë atje dhe binjakët tanë i solla në shtëpi nga spitali pikërisht në 'Miraval'”.

Aktorja ka shtuar se ndarja nga ajo pronë ishte shumë e vështirë.

“Të shkëputesha papritur nga shtëpia dhe kujtimet e mia ka qenë e dhimbshme, veçanërisht për fëmijët, të cilët e patën shumë të vështirë ndryshimin”, ka thënë ajo.

Megjithatë, një burim i afërt me Pittin reagoi ndaj deklaratave të aktores, duke i quajtur ato justifikime.

“Kjo është mosmarrëveshje tregtare, plotësisht e ndarë nga çështja e divorcit. Është fatkeqsi, por jo befasi”, ka thënë burimi.

Pitt dhe Jolie, të cilët u njohën gjatë xhirimeve të filmit “Mr. and Mrs. Smith”, e finalizuan divorcin në muajin dhjetor të vitit 2024, por ende janë në konflikt për pronësinë e "Château Miraval".

Pas ndarjes, Jolie e shiti pjesën e saj të aksioneve në vresht në vitin 2021 kompanisë "Tenute del Mondo", që është pjesë e Stoli Group. Brad e paditi në muajin shkurt të vitit 2022, duke pretenduar se ajo e kishte shitur pa miratimin e tij, ndonëse kishin marrëveshje që asnjëri nuk mund të shiste pjesën pa pëlqimin e tjetrit.

Në shtator të po atij viti, Jolie u kundërpërgjigj me një padi tjetër, duke e akuzuar aktorin e filmit “Once Upon a Time in Hollywood” se “po zhvillon një luftë hakmarrëse kundër saj që nga momenti kur ajo kërkoi divorcin”.