Pop grupi i përbërë prej katër vajzave nga Korea Jugore, “Blackpink”, është në rrugën e duhur drejt suksesit në tregun amerikan të muzikës.
Bendi që dikur kishte bashkëpunuar me Dua Lipën në realizimin e këngës, “Kiss and Make Up”, të premten mbrëma e publikoi videoprojektin e ri muzikor me titull, “Ice Cream”, që u prit jashtëzakonisht mirë nga fansat e tyre.
Kënga njëherësh e shënon bashkëpunimin e parë të katër anëtarëve të grupit “Blackpink”, Rose, Jennie, Lisa dhe JiSoo, me këngëtaren e njohur të muzikës pop, Selena Gomez, transmeton Koha.
Videoklipi vjen shumë ngjyrësh ku të gjitha këngëtaret shihen duke u argëtuar në një ambient ku dominojnë akulloret.
Menaxherët e grupit kanë bërë të ditur se kënga e re “Ice Cream” është e përkryer për stinën e verës, dhe vjen tërësisht ndryshe nga këngët e kaluara të vajzave si: “Kill This Love”, “Ddu-du ddu-du”, “How You Like That” dhe të tjerë.
Para dy muajve kur “Blackpink” e lansoi këngën “How You Like That”, arriti të thyej rekord të platformës muzikore YouTube me marrjen me 82.4 milionë klikime në 24 orët e para të lansimit. Edhe vdieoprojekti i ri “Ice Cream” ka arritur sukses të ngjashëm, dhe pas tri ditëve të lansimit i numëron më shumë se 131 milionë klikime.