Showbiz

Björn Ulvaeus i grupit “ABBA” po krijon muzikë të re me ndihmën e inteligjencës artificiale

Grupi "Abba"

Grupi "Abba"

Foto: Associated Press

“Është si të kesh një bashkë kompozitor në dhomë”

Björn Ulvaeus, një nga themeluesit e grupit legjendar muzikor suedez “ABBA”, ka zbuluar se është duke përdorur inteligjencën artificiale për të krijuar muzikë të re, duke e cilësuar këtë teknologji si “mjet të shkëlqyer” kur përdoret siç duhet.

Megjithëse është ndër 10,500 artistët dhe përfaqësuesit e industrisë krijuese që kanë nënshkruar deklaratë publike kundër përdorimit të paautorizuar të veprave artistike për trajnimin e AI-ve, Ulvaeus ka theksuar se kjo nuk do të thotë që është kundër teknologjisë.

“Përdorimi pa leje i veprave krijuese për të trajnuar inteligjencën artificiale është kërcënim i madh dhe i padrejtë për jetesën e artistëve, dhe nuk duhet të lejohet”, thuhet në deklaratë.

Por, gjatë fjalimit të tij në edicionin e parë të SXSW në Londër këtë të mërkurë (04.06.2025), Ulvaeus ka thënë se kur përdoret me vetëdije, AI mund të shërbejë si ndihmës në procesin krijues, ka raportuar FemaleFirst.

Björn Ulvaeus 

“Është një mjet i mrekullueshëm. Është si të kesh një tjetër kompozitor në dhomë me një arkiv gjigant në kokë. Është vërtet si një shtesë e mendjes tënde. Të jep qasje në gjëra që nuk do t’i kishe menduar vetë”, ka thënë ai.

Ulvaeus ka shpjeguar se e përdor teknologjinë për të dalë nga bllokimet krijuese kur shkruan këngë.

“Mund t’i japësh një tekst dhe i thua, kam ngecur këtu, dua që kjo këngë të shkojë në këtë drejtim. Shpesh AI prodhon mbeturina, por ndonjëherë aty gjen diçka që të ndez një ide të re”, ka thënë ai.

Megjithatë, ai ka qenë i qartë në paralajmërimet për rreziqet që sjell teknologjia, veçanërisht nëse ajo zëvendëson krijimtarinë njerëzore.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që AI të mos përjashtojë njeriun, kompozitorin, producentin apo artistin. “Do ta ndryshojë mënyrën si shkruajmë këngë. A do të jetë më mirë? Nuk e di. Por sigurisht do të ndikojë në shoqëri si tërësi”, ka thënë ai në një intervistë të mëhershme për BBC Look North.

Në fund, Ulvaeus ka theksuar se talenti njerëzor është i pazëvendësueshëm.

“Që të dëgjohesh mes gjithë kësaj zhurme, duhet të jesh jashtëzakonisht i mirë. Besoj se vetëm dora e njeriut mund t’i japë asaj kënge përqindjen e fundit që e bën vërtet të shkëlqyer”, ka thënë ai

Ulvaeus nuk ka zbuluar ende detaje për tematikën apo datën e publikimit të muzikës së re që po zhvillon me ndihmën e AI.