Yjet amerikane të muzikës, Beyoncé dhe Billie Eilish, i kanë fituar nominimet e tyre të para për “Oscar” në kategorinë “Kënga më e mirë origjinale”.
Nominimet për çmimet e sivjetme akademike u bënë të ditura pasditen e së martës, me një prezantim online nga aktorët Leslie Jordan dhe Tracee Ellis Ross.
Beyoncé dhe Eilish janë në mesin e pesë artistëve të nominuar në këtë kategori, me ç’rast vlerësohet puna e tyre e mrekullueshme në realizimin e kolonave zanore për disa prej filmave më të vlerësuar të hollywoodit. Ndër yjet e tjerë të nominuar janë Diane Warren, Lin-Manuel Miranda dhe Van Morrison.
20-vjeçarja Billie Eilish është nominuar për këngën “No Time To Die”, që ishte kolona zanore e filmit të fundit me James Bondin, ndërsa Beyoncé garon me këngën “Be Alive”, kolonë zanore e filmit biografik të shumëshpërblyer, “King Richard”.
Ndër yjet e tjerë të muzikës që pritej të nominoheshin për “Oscar” në ndonjërën prej dy kategorive për muzikë, janë: Jay-Z dhe Kid Cudi për kolonën zanore të filmit “The Harder They Fall”, Ariana Grande dhe Kid Cudi për “Don’t Look Up”, H.E.R. për kolonën zanore të filmit “Bruised”, Sparks për “Annette” dhe U2 për kolonën zanore të filmit të animuar “Sing 2”.
Me t’u lansuar vitin e kaluar, kënga “Be Alive” e shënoi projektin e parë të lansuar nga diva e muzikës, Beyonce, nga albumi i vitit 2020, “Black Is King”. Kënga po ashtu ishte nominuar për çmim “Globi i Artë” dhe “Hollywood Music in Media Awards”.
Ndërkohë, “No Time To Die” tashmë i ka fituar dy çmime të rëndë3sishme, “Globi i Artë” dhe “Grammy”, si dhe është nominuar për shpërblimet “Critics’ Choice Movie Awards”, “Satellite Awards” dhe të tjerë.
Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “Oscar” mbahet më 27 mars në teatrin “Dolby” në Los Angeles.