Showbiz

Beyonce, Billie Eilish e Ariana Grande në listën e ngushtë për “Oscar”

Akademia e Arteve dhe Shkencave i ka bërë publike listat e ngushta në dhjetë kategori të shpërblimeve “Oscar”, ceremoni kjo e cila mbahet në mars të vitit të ardhshëm. Ndër kategoritë e zbuluara ishte edhe ajo “Kënga më e mirë origjinale”.

Artistët të cilët sivjet janë një hap nominimit për çmimin “Kënga më e mirë origjinale” janë: Beyoncé për realizimin e këngës “Be Alive” e cila është kolonë zanore e filmit, “King Richard”, Jay-Z dhe Kid Cudi për këngën e tyre, “Guns Go Bang”, e cila është kolonë zanore e filmit “The Harder They Fall”, Billie Eilish dhe vëllai i saj Finneas për kolonën zanore të filmit të fundit me James Bondin, “No Time to Die”, Ariana Grande dhe Kid Cudi për bashkëpunimin me titull, “Just Look Up”, e cila është kolonë zanore e filmit “Don’t Look Up”, vëllezërit Ron dhe Russell Mael për “So May We Start?” nga filmi “Annette”, këngëtarja H.E.R. për këngën, “Automatic Woman”, e cila është kolonë zanore e filmit “Bruised”, SZA me “The Anonymous Ones” nga filmi, “Dear Even Hansen”, dhe bendi “U2” për kolonën zanore të filmit të animuar “Sing 2”, me titull “Your Song Saved My Life”.

Ndër kategoritë tjera listat e ngushta të së cilave janë bërë tashmë publike për publikun e gjerë janë, “Dokumentari më i mirë”, “Dokumentari më i mirë i shkurtër”, “Best Makeup and Hairstyling”, “Filmi më i mirë i shkurtër”, “Efektet vizuale më të mira” dhe “Filmi më i mirë i huaj”, në të cilën kategori ka arritur të futet edhe filmi kosovar i regjisores Blerta Basholli, “Zgjoi”.

Listat e ngushta për shpërblimin akademik u përpiluan më 15 dhjetor, votimi për nominimet “Oscar” fillon më 27 janar të vitit të ardhshëm ndërsa përmbyllet më 1 shkurt. Nominimet zyrtare të të gjitha kategorive zbulohen më 8 shkurt, kurse edicioni I 94-të i ceremonisë së ndarjes së çmimeve mbahet në teatrin “Dolby” në Los Angeles, më 27 mars 2022.