Showbiz

Bëhet virale videoja e Cardi B duke e komentuar fundosjen e një jahti

Një video e fundit e reperes, Cardi B, e postuar në Twitter është bërë virale, raporton portali “NME”.

Ylli i muzikës shfaqet duke e komentuar fundosjen e një jahti përpara syve të saj, teksa gjendet me pushime së bashku me bashkëshortin Offset.

Gjatë fundjavës, rep-artistja e famshme amerikane e postoi videon në fjalë të shoqëruar me mbishkrimin: “Nuk më besohet që po e shoh një jaht duke u fundosur”.

Më vonë ajo e bëri një postim tjetër në Instagram, përmes së cilit bëri të ditur se askush nga ka mbetur i lënduar nga ky incident.

Por mënyra se si ajo e komenton klipin 45 sekondash ka bërë që fansat e saj anembanë botës ta ripostojnë videon, dhe të bëjnë shaka me narracionin e saj.

“Të lutem, bëje narracionin e sezonit të ardhshëm të emisionit ‘Planet Earth’”, kishte shkruar një adhurues në Twitter, derisa një tjetër deklaroi: “Kam nevojë ta dëgjoj yllin Cardi B duke e komentuar aksidentin katastrofal të Hindenburgut”.

Kishte edhe të tillë që e kishin rimontuar zërin e reperes mbi videon e momentit kur anija Titanic fundoset, në filmin e vitit 1997 ku luanin yjet, Leonardo DiCaprio dhe Katë Winslet.

Të gjitha këto shaka nga fansat, Cardi i ka marrë me sportivitet, madje disa prej tyre edhe i ka ripostuar në rrjetin social Twitter.