Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Andrew Scott bëhet z. Ripley i talentuar

Andrew Scott gjatë shumë viteve të karrierës së tij na ka dhuruar shumë performanca të mahnitshme. Nga armiku i Sherlockut, Moriarty, e deri tek prifti i bukur në serinë çmim-fituese “Fleabag”, Scott gjithmonë na ka mahnitur.

Tani është koha që ai ta marrë rolin kryesor në një seri të re. Steven Zaillian është duke e bërë adaptimin e romanit për Tom Ripleyin nga Patricia Highsmith, ndërsa Scott do ta udhëheqë formacionin e aktorëve.

Edhe pse shumë shikues u takuan me personazhin e Tom Ripley në adaptimin filmik të vitit 1999, The Talented Mr. Ripley, kur atë e luajti Matt Damon, seriali i ri do ta eksplorojë më detajisht Ripleyn dinak dhe ambicioz.

Zaillian do ta bëjë regjinë e sezonit të parë, i cili do të përbëhet nga tetë episode, shkruan KOHA Ditore. Sezoni i parë do të bëjë fjalë për Ripleyin, i cili në vitet 1960 shkon nga New Yorku në Itali pasi angazhohet nga një njeri i pasur për ta gjetur djalin e tij të larguar dhe për ta kthyer në Amerikë.

Regjisori/skenaristi Zaillian tash një kohë është duke e përgatitur serinë, ndërsa seriali së shpejti do të duhej të fillojë me produksionin. Ende nuk dihen detajet e tjera lidhur me projektin.