Bebe Rexha zyrtarisht e ka konfirmuar lansimin e albumit të radhës.
Artistja e famshme e muzikës pop i ka njoftuar fansat se albumi me titull, “BEBE”, do të jetë në dispozicionin e publikut më 28 prill të këtij viti.
Këngëtarja me prejardhje shqiptare e postoi ballinën e albumit që e vazhdon temën e stilit të viteve ’70, që e karakterizoi edhe videoprojektin e saj të fundit, “Heart Wants What It Wants”.
Rexha nuk zbuloi më shumë hollësi rreth projektit të ardhshëm, si për shembull numri i këngëve që do të përfshihen në të, megjithëse i paralajmëroi disa bashkëpunime në një ndejë të organizuar në muajin shkurt në Los Angeles. atje, ajo zbuloi se e ka incizuar një këngë me idhullin e saj Dolly Parton, e cila titullohet “Seasons” dhe një tjetër me titull “Satellite”, e që vjen në bashkëpunim me reperin e famshëm amerikan, Snoop Dogg.
“BEBE” e shënon albumin e tretë të këngëtares të incizuar në studio dhe vjen pas atij të vitit 2021, “Better Mistakes”. Nga ajo kohë, Rexha i ka publikuar disa këngë dhe bashkëpunime interesante si, “Chain My Heart” me artistin Tobias Topic, “It’s You, Not Me (Sabotage)” me Masked Wolf dhe “I’m Good (Blue)” me producentin David Guetta.
Përmes një deklarate të fundit për media, ekipi i Rexhës paralajmëroi se albumi i ri do të jetë “puna e saj më ambicioze dhe interesante deri më tani”.
Edhe
Bebe Rexha po hyn në një epokë të re me albumin e ri
Ylli i muzikës pop po ashtu i ka paralajmëruar fansat se para fillimit të verës do t’i realizojë 20 koncerte nëpër qytete të ndryshme të Amerikës Veriore si, Chicago, Toronto, Philadelphia, Orlando, San Diego dhe të tjerë.
Turneu i Bebes fillon më 31 maj në Phoenix të Arizonas, kurse përfundon me 30 qershor në Los Angeles të Californias.