Ylli i serisë “Full House”, Lori Loughlin, është liruar nga burgu në Dublin të Kalifornisë, pasi e përmbushi dënimin prej dy muajsh burgim, për pagim të ryshfetit për t’ia siguruar vajzave të saj një vend në një ndër universitetet më të rëndësishme në Amerikë.
Lajmin e bënë të ditur zëdhënësit e burgut “Bureau”, të hënën më 28 dhjetor.
56-vjeçarja Loughlin, ishte lajmëruar në institucionin korrektues federal të sigurisë së ulët, në tetor të këtij viti.
Prokurorët e caktuar në këtë rast gjyqësor kishin deklaruar se, Loughlin dhe bashkëshorti i saj, disenjatori i modës Mossimo Giannulli, kishin paguar ryshfet prej 500 mijë dollarëve për t’iu siguruar vende vajzave të tyre në Universitetin e Kalifornisë Jugore, si rekrute të rreme atletike për ekipin e shkollës, edhe pse ato asnjëherë nuk kishin konkurruar.
Pasi në fillim i luftuan akuzat, Loughlin dhe Giannulli u deklaruan fajtorë në muajin maj, për komplot për të kryer mashtrime. Në gusht, aktorja e njohur amerikane kërkoi falje për gabimin e saj, duke thënë se kishte vepruar kështu nga dashuria për vajzat e saj, duke dashur t’ua sigurojë një të ardhme sa më të mirë.
Giannulli po e vuan dënimin prej pesë muajsh në një burg në Lompoc të Kalifornisë. Ai pritet të lirohet në prill të vitit të ardhshëm.
Edhe
Timothy Busfield do të lirohet nga burgu teksa pret gjyqin për akuza për abuzim seksual
Dyshja e famshme ishin ndër 56 personat e dënuar për mashtrim, në mesin e së cilëve edhe aktorja tjetër e famshme Felicity Huffman.
Lori Loughlin e ka luajtur rolin e tezes Becky në serinë familjare komike “Full House”, e cila u transmetua në televizionet amerikane nga viti 1987 deri më 1995. Ky projekt u rikthye në platformën Netflix në vitin 2016, me titull të ndryshuar në “Fuller House”.