Showbiz

Timothy Busfield do të lirohet nga burgu teksa pret gjyqin për akuza për abuzim seksual

Timothy Busfield

Timothy Busfield

Një gjykatës në New Mexico ka vendosur që aktori i njohur i serialit “The West Wing”, Timothy Busfield, të lirohet nga burgu derisa pret gjyqin për akuzat ndaj tij.

Në vendimin e tij, gjykatësi David Murphy u mbështet në faktin se Busfield nuk ka histori të mëparshme kriminale, është paraqitur vetë para autoriteteve dhe, deri tani, provat në këtë rast nuk konsiderohen fort bindëse, ka raportuar FemaleFirst.

Busfield, 68 vjeç, u dorëzua javën e kaluar dhe u akuzua për dy raste të kontaktit seksual kriminal me të mitur dhe një rast abuzimi ndaj fëmijëve. Ngjarjet dyshohet se kanë ndodhur gjatë xhirimeve të serialit “The Cleaning Lady”, ku ai ishte regjisor.

“Siç qëndrojnë gjërat sot, bazuar në informacionin e kufizuar që kam përpara, do ta karakterizoja peshën e provave ndaj të pandehurit si neutrale në këtë fazë”, ka deklaruar gjatë seancës gjykatësi Murphy.

Ai ka shtuar se prezantimi i mbrojtjes, deklaratat e disa personave që kanë punuar në xhirimet e “The Cleaning Lady”, një hetim i pavarur i kryer nga një firmë ligjore e angazhuar nga producentët e serialit “Warner Bros”, si dhe dëshmitë në seancë, “nuk i mbështesin akuzat e paraqitura nga viktimat e pretenduara në këtë rast”.

Gjatë shpalljes së vendimit, bashkëshortja e Busfieldit, aktorja Melissa Gilbert, u pa dukshëm e prekur emocionalisht në sallën e gjyqit.

Si pjesë e kushteve të lirimit, Busfield nuk lejohet të ketë asnjë kontakt me viktimat e pretenduara apo familjet e tyre dhe nuk mund të ketë kontakte të pambikëqyrura me të mitur.

Ekipi mbrojtës i aktorit të filmit “Field of Dreams” i kishte dorëzuar gjykatës më shumë se 70 letra nga persona që dëshmonin për karakterin e tij. Avokatët kanë deklaruar gjithashtu se Busfield kishte kryer dhe kaluar një test poligrafi lidhur me akuzat.

Ai iu nënshtrua edhe një vlerësimi psiko-seksual, megjithatë prokuroria e kundërshtoi vlefshmërinë e këtij testi dhe ka kërkuar që poligrafit t’i jepej peshë e kufizuar.

“Nuk ka rëndësi se nga kush është i tërhequr seksualisht. Ne e dimë se lloje të ndryshme abuzuesish seksualë veprojnë ndaj grupeve të ndryshme njerëzish. Nuk është e nevojshme të jesh pedofil që kjo të ndodhë”, ka deklaruar zëvendës-prokurorja e qarkut, Savannah Brandenburg-Koch.

Nga ana tjetër, avokatja e Busfieldit, Amber Fayerberg, ka hedhur poshtë pretendimin se aktori kishte “shfrytëzuar pushtetin e tij”, duke thënë se ai nuk ka më asnjë ndikim publik pas akuzave.

“Ai nuk ka pushtet. Ai është bërë person i padëshiruar dhe kjo nuk është sepse ka bërë diçka të gabuar… por për shkak të botës në të cilën jetojmë”, ka thënë ajo.

Fayerberg ka deklaruar se Busfield është “mohuar” nga shteti, është larguar nga agjencia e tij artistike dhe se roli i tij është hequr nga filmi i ardhshëm “You Deserve Each Other”.

Avokatja e ka përshkruar gjithashtu rastin si të ndërtuar mbi akuza të fabrikuara.

“Ka një histori këtu dhe është një histori shumë e trishtueshme. Ka viktima, dhe janë këta dy djem. Por ata nuk janë viktimizuar nga Tim Busfield. Ata janë viktimizuar nga prindërit e tyre”, ka thënë ajo.

Gjykatësi nuk i ka vendosur kufizime udhëtimi Busfieldit, pasi ai nuk është banor i New Mexicos.

Data e gjyqit ende nuk është caktuar.