Ylli teatrit dhe filmit, Laura Linney, është nderuar me yll në shtegun e të famshmëve në Hollywood, raportoi të martën agjencia e lajmeve “AP”. Kështu u vlerësua kontributi i saj në projektet televizive.
Ajo qe e pranishme në ceremoni, krahas kolegëve Holland Taylor dhe Chris Mundy, me ç’rast e dha një fjalim prekës para të pranishmëve në një prej rrugëve më të famshme të Los Angelesit.
“Para 20 vjetëve, nëse dikush do të më thoshte se kjo aktore e teatrit që ka trup nga kamerat, do të përfaqësohej krahas idhujve të saj nga bota e filmit dhe televizionit, nuk do ta besoja kurrë. Thjeshtë do ta konsideroja një ide të çmendur. Me sinqeritet të plotë mund t’ju them se edhe pas 30 vjetëve karrierë në fushën e aktrimit, unë ende, në baza ditore, jam e habitur por edhe e ngazëllyer që jam përqafuar jo vetëm nga qytetarët e Los Anxhelosit, por edhe nga industria e filmit dhe njerëzit e saj që unë i dua shumë dhe të cilët e quajnë Hollywoodin shtëpi”.
Aktorja 58-vjeçare, e cila së fundmi e pranoi nominimin e shtatë për çmim “Emmy” për portretizimin e Wendy Byrdeit në megahitin e platformës Netflix, “Ozark”, i ka fituar disa shpërblime gjatë karrierës së saj kinematografike. Ajo shquhet për role në seriale e filma të suksesshëm si, “Fraiser”, “You Can Count On Me”, “Mystic River”, “Love Actually” dhe të tjerë.
Së shpejti Laura Linney rikthehet në ekran të madh me projektin, “The Miracle Club”, ku luan krahas aktoreve Maggie Smith dhe Kathy Bates. Filmi, data e lansimit të së cilit nuk është bërë publike ende, e rrëfen historinë e një grupi të grave nga Dublini të cilat udhëtojnë drejt Francës. Mirëpo rrugëtimi i tyre i gjatë bënë që ato ta rizbulojnë shoqërinë e tyre dhe mrekullitë personale të njëra-tjetrës.