Showbiz

Pezullohet emisioni i Jimmy Kimmelit, shkaku i komenteve për vrasjen e Kirkut

Jimmy Kimmel

Jimmy Kimmel

Foto: Associated Press

Rrjeti televiziv, American Broadcasting Company (ABC) e ka pezulluar përkohësisht nga ekrani prezantuesin e njohur të “Late Night Show”-it, Jimmy Kimmel, për shkak të komenteve që bëri rreth vrasjes së aktivistit të djathtë, Charlie Kirk.

“Jimmy Kimmel Live do të zëvendësohet për një kohë të pacaktuar”, ka thënë një zëdhënës i rrjetit që është në pronësi të kompanisë “Disney”, ka raportuat BBC.

Kimmel nuk pranoi të komentojë për BBC-në, teksa u pa duke dalë nga studioja në Los Angeles.

Gjatë monologut të së hënës mbrëma, Kimmel ka thënë se “banda Maga” po përpiqej të fitonte pikë politike pas vrasjes së Kirkut. Ai e ka quajtur hipokrizi përpjekjen që, sipas tij, ishte bërë që “ky djalë që vrau Charlie Kirkun, të karakterizohet si diçka tjetër përveç njërit prej tyre, duke bërë gjithçka për të përfituar politikisht”.

Kimmel ka kritikuar edhe vendimin për të ulur flamujt në gjysmë shtize në nderim të Kirkut dhe madje ironizoi reagimin e presidentit amerikan Donald Trump.

“Kjo nuk është mënyra si vajton një i rritur për vrasjen e një personi që e quan mik. Kjo është mënyra si një katërvjeçar vajton një peshk të artë”, ka thënë Kimmel.

VIDEO:

Megjikëtë, ditën kur ndodhi vrasja, ai ka postuar në Instagram një mesazh ku e dënonte sulmin dhe dërgonte “dashuri” për familjen e Kirkut.

Autoritetet ende nuk kanë përcaktuar një motiv për vrasjen e 31-vjeçarit, që ndodhi më 10 shtator. I dyshuari, Tyler Robinson, 22 vjeç, u paraqit në gjykatë dhe akuzohet për vrasje të rëndë. Dokumentet e akuzës citojnë nënën e tij, e cila ka thënë se djali “kohëve të fundit po merrej me politikë dhe kishte filluar të anonte nga politikat e majta, më pro të drejtave të homoseksualëve dhe transgjinorëve”. Autoritetet kanë theksuar se Robinson nuk ishte i regjistruar në ndonjë parti politike dhe nuk kishte votuar në zgjedhjet e viteve 2022 dhe 2024.

Menjëherë pas njoftimit për pezullimin, presidenti Trump reagoi duke e quajtur këtë “lajm të madh për Amerikën”.

“Emisioni i Jimmy Kimmelit, që ka dështuar në shikueshmëri, është anuluar. Urime ABC-së që më në fund pati guximin të bëjë atë që duhej bërë”, ka shkruar ai në rrjete sociale. Ai sulmoi edhe dy prezantuesi e emisioneve, Jimmy Fallon dhe Seth Myers, duke i quajtur “dy humbës totalë në ‘Fake News NBC’”.

Komentet e Kimmelit shkaktuan reagime të mëdha, përfshirë kryetarin republikan të Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC), Brendan Carr, i cili ka thënë se prezantuesi ka treguar “sjelljen më të sëmurë të mundshme” dhe ka kërkuar nga “Disney” të merrte masa.

“Një kërkim falje nga Kimmel do të ishte një hap shumë i arsyeshëm dhe minimal”, ka thënë Carr.

Por anëtarja demokrate e FCC-së, Anna Gomez, e ka kundërshtuar këtë qasje.

“Një akt i pajustifikueshëm dhune politike nga një individ i çrregullt nuk duhet të shfrytëzohet kurrë si arsye për censurë apo kontroll më të gjerë”, ka shkruar ajo në rrjetin social X.

Edhe sindikatat e Hollywoodit kanë reaguar ashpër.

Shoqata e Skenaristëve të Amerikës (WGA) e ka cilësuar vendimin “shkelje të së drejtës kushtetuese të lirisë së fjalës”. Ndërsa SAG-Aftra ka paralajmëruar se kjo është një “lloj shtypjeje dhe hakmarrjeje që rrezikon liritë e të gjithëve”.

“Nexstar Media”, një nga pronarët më të mëdhenj të stacioneve televizive në SHBA, ka deklaruar se nuk do ta transmetojë më emisionin “Jimmy Kimmel Live!”.

“Komentet e tij për Kirk ishin fyese dhe të pandjeshme në një kohë kritike për diskursin politik kombëtar”, ka thënë Andrew Alford, president i divizionit të transmetimit të “Nexstar”.

“Sinclair”, grupi më i madh i stacioneve që transmetojnë për ABC-në, mori të njëjtin vendim dhe ka njoftuar se këtë të premte, në orarin e emisionit të Kimmelit, do të transmetojë një program të posaçëm përkujtimor për Kirkun.

Ndërkohë, një person i afërt me Kimmelin ka thënë për CNBC se ai nuk është i pushuar nga puna dhe se drejtuesit e rrjetit planifikojnë të bisedojnë me të për deklaratat që duhet të bëjë para se të rikthehet në ekran.

Disa fansa shprehën zhgënjimin e tyre jashtë studios në Hollywood Boulevard.

“E dini, kjo po bëhet qesharake dhe budallallëk. Liria e fjalës. Ai ndau mendimin e tij dhe tani po e ‘anulojnë’. Për mua kjo është e çuditshme”, ka thënë për BBC-në Janna Blackwell, turiste nga Virginia.

Fotografi nga Associated Press

Një grup i vogël protestuesish u mblodhën me pankartën: “Trump duhet të largohet tani”.