Antari i bendit “ABBA”, Benny Andersson, ka deklaruar se grupi ikonik i muzikës po shpreson të lansojë këngë të reja kah fundi i këtij viti, transmeton Koha.net.
Në një intervistë të fundit muzikanti suedez, Andersson, u pyet nga gazetarët se ku është muzika e re që e ka premtuar qe një kohë të gjatë, dhe ai u përgjigj: “Këngët e reja janë duke ardhur. Besoj se ato do të lansohen gjatë këtij viti, supozoj pas përfundimit të verës. Por, ky është vetëm spekulim, sepse ende nuk jam i sigurt për ndonjë datë të saktë,” ka përfunduar tutje Andersson.
I pyetur nëse mund t’i premtojë fansat që muzika e re do të publikohet gjatë vitit 2020, Andersson tha: “Njeriu nuk duhet të premtojë asgjë, por nëse kjo gjë do të varej nga unë, atëherë do ta publikonim muzikën e re në shtator të këtij viti. Por unë nuk mund ta marrë këtë vendim i vetëm, megjithëse ky mbetet synimi ynë”.
Edhe antari tjetër i grupit “ABBA”, Björn Ulvaeus, në një intervistë të realizuar vitin e kaluar, e kishte konfirmuar lajmin se bendi do të lansojë muzikë të re në vjeshtë të vitit 2019, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Në vitin 2018, pop bendi suedez e bëri publik lajmin se kanë për qëllim të incizojnë këngë të reja, 35 vjet pas takimit të tyre të fundit në studion incizuese.