Pop-sensacioni suedez, ABBA të premten ka lansuar albumin e ri “Voyage”, gati 40 vjet pasi grupi u shpërbë, e koncerti digjital do të mbahet në muajin maj në Londër. Agnetha, Bjorn, Benny dhe Anni-Frid, prej nga vjen edhe akronimi ABBA, qysh prej se u shpërndanë, më 1982 apo një vit pas albumit të tyre të fundit “The Visitors”, nuk kanë lansuar asnjë këngë të re.
“Voyage” u lansua në faqe të ndryshme të internetit, që ka grupi, një veprim i shumëpritur prej adhuruesve gjithandej botës. Pas paralajmërimeve të kahershme, grupi më në fund në shtator bëri të ditur bashkimin dhe albumin e ri, tek lansoi dy single: “I still have faith in you” dhe “Don’t shut me down”.
Krahas albumit “Voyage” me dhjetë këngë grupi do të prezantojë edhe avatarë digjitalë në koncertin në Londër. “ABBA-tarët” janë krijuar me teknologjinë e incizimit të lëvizjeve. Hologramët janë produkt i një projekti disavjeçar, realizuar me studion për efekte speciale të krijuesit të “Star Wars”, Georgea Lucas.
Projekti disa herë i shtyrë, fillimisht për shkak të problemeve teknike e më pas edhe për shkak të pandemisë së COVID-19, tashmë ai është gati. Grupi fillimisht doli me idenë për avatarët tek pasoi puna për pjesën muzikore. Më 2018 ABBA konfirmoi rikthimin, por krejt detajet e tjera u mbajtën në fshehtësi.
“Fillimisht kishim vetëm dy këngë e pastaj thamë: “Mbase duhet të realizojmë edhe ca”. Vajza, çfarë thoni për këtë dhe ato janë përgjigjur me pohim”, ka thënë Benny Andersson (74), kur albumi u paralajmërua. “E mandej i pyeta se çfarë mendojnë sikur ta bëjmë një album”, ka shtuar ai.
Ai dhe Bjorn Ulvaeus (76) tash e disa javë e promovojnë albumin, e koleget dhe ish-bashkëshortet e tyre, Agnetha Fältskog (71) dhe Anni-Frid Lyngstad (75) i kanë kursyer prej kësaj pjese.