Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Grupi “Aqua” ndahet pas 30 vjetësh

Grupi "AQUA"

Grupi "AQUA"

Grupi legjendar muzikor “Aqua” ka tronditur fansat duke konfirmuar ndarjen pas më shumë se 30 vjetësh aktivitet në muzikë.

Bendi danezo-norvegjez, i njohur në mbarë botën për hitin ikonik “Barbie Girl”, ka njoftuar përmes Instagramit se nuk do të vazhdojë më si grup koncertesh live, ka shkruar FemaleFirst.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Pas shumë vitesh të jashtëzakonshme, kemi vendosur ta mbyllim kapitullin e 'Aqua' si një grup live. 'Aqua' ka qenë një pjesë shumë e madhe e jetës sonë dhe së bashku kemi përjetuar më shumë sesa kemi guxuar ndonjëherë të ëndërronim. Kemi udhëtuar nëpër botë pa fund, kemi takuar njerëz të mrekullueshëm, kemi kënduar bashkë me miliona prej jush dhe kemi krijuar kujtime që do t’i mbajmë me vete përgjithmonë”, thuhet në deklaratën e anëtarëve të grupit.

Grupi u formua në vitin 1995 dhe arriti të shesë mbi 33 milionë albume në të gjithë botën, duke u kthyer në një nga grupet më të suksesshme të muzikës europop në fundin e viteve ‘90.

Përveç “Barbie Girl”, grupi pati suksese të mëdha edhe me këngë si “Doctor Jones”, “Turn Back Time”, “My Oh My” dhe “Cartoon Heroes”.

Ndarja vjen vetëm pak muaj para 30-vjetorit të albumit të tyre debutues “Aquarium”, i cili i shndërroi në yje ndërkombëtarë dhe i bëri pjesë të historisë së muzikës pop.

Formacioni i viteve të fundit përbëhej nga René Dif, Soren Rasted dhe Lene Nystrom, pasi anëtari themelues Claus Norreen u largua nga grupi në vitin 2016 për t’u fokusuar në projekte të tjera.

Anëtarët e “Aqua” kanë theksuar se vendimi për ndarje është marrë në mënyrë paqësore dhe me respekt të ndërsjellë.

“Kur ke kaluar kaq shumë vite bashkë, mëson edhe kur është koha për të mbrojtur atë që ke krijuar së bashku. Për ne, ky duket momenti i duhur për të thënë lamtumirë, ndërsa kujtimet janë ende të forta dhe dashuria për muzikën, historinë dhe njëri-tjetrin vazhdon të mbetet e paprekur”, kanë deklaruar ata.

Në fund të mesazhit, grupi ka falënderuar fansat.

“Nga zemra: faleminderit të gjithëve që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi gjatë 30 vjetëve të fundit. Faleminderit për dashurinë, energjinë, mbështetjen dhe për çdo moment që kemi ndarë bashkë. Vetëm dashuri dhe mirënjohje prej nesh”, thuhet në fund të deklaratës.

Fansat reaguan me emocione të forta në rrjetet sociale, duke e quajtur ndarjen “fundin e një epoke”.

“Jam i shkatërruar… por edhe shumë mirënjohës që kam pasur mundësinë t’ju shoh live disa herë. Muzika juaj do të jetojë përgjithmonë”, ka shkruar një fans.

Një tjetër ka komentuar se kjo gjë është “shumë zhgënjyese dhe e trishtueshme për fansat, askush nuk e priste”.

“Fund i një epoke! Kam kaq shumë kujtime të bukura ndër vite dhe jam mirënjohës që ju kam parë live disa herë. Koncertet tuaja janë të jashtëzakonshme”, ka shkruar një tjetër  fans.

Edhe pse kulmi i suksesit të “Aqua” ishte në fundin e viteve ‘90, grupi riktheu famën globale në vitin 2023 kur reperja e njohur Nicki Minaj dhe Ice Spice përdorën elemente të këngës “Barbie Girl” në hitin “Barbie World” për filmin “Barbie”.

Filmi, i drejtuar nga regjisorja Greta Gerwig dhe me protagonistë aktoren Margot Robbie dhe aktorin Ryan Gosling, riktheu interesimin global për muzikën e “Aqua” dhe prezantoi grupin edhe te një brez më i ri fansash.