Kemi pak ditë që kemi hyrë në muajin prill dhe me fillimin e një muaji të ri, adhuruesve u servohet edhe muzikë e re.
Emisioni “Express” në KTV ju sjell në vazhdim renditjen e pesë albumeve, të cilat preferohet të dëgjohen me t’u lansuar për publikun e gjerë.
Me një nga zërat më të dallueshëm dhe unik të kohëve moderne, artisti i njohur me emrin skenik Father John Misty rikthehet me incizimin e tij më të ri, `Pure Comedy`, që e vë në pah madhështinë dhe zhvillimin e tij si artist këtyre viteve të fundit. Aktualisht i vlerësuar me 92% të pikëve në uebfaqen MetaCritic, albumi i tij i ri do vetëm edhe ca ditë për t’u lansuar.
Është vështirë të besohet se ‘Memories: Do Not Open’ është albumi debutues i grupit `The Chainsmokers`. I planifikuar që të lansohet gjatë fundjavës, albumi tashmë është promovuar edhe nga artistë të njohur botërorë në rrjetet sociale, si: vokalisti i bendit Coldplay, Chris Martin, i cili ka shkruar në Twiter për të. Ndërkaq, kënga e parë e incizimit, me titull “Pairs”, tashmë ka filluar t’i dominojë toplistat muzikore në botë.
Duke qenë se nga prilli deri në maj të 2015-ës kanë realizuar turne nëpër Britani të Madhe, bendi Texas nuk kishte ndalur së punuari rreth albumit të tyre të ri, i cili poashtu do të lansohet për adhuruesit e muzikës gjatë muajit prill. Albumi titullohet ‘Jump On Board’. Mezi po pritet të shihet çfarë materiali të ri do ta servojë grupi i famshëm që ka kohë që ka pauzuar nga muzika.
Teksa albumi i saj i nëntë i incizuar në studio, ‘Be Myself’, është gati për t’u lansuar, këngëtarja e famshme botërore Sheryl Crow e ka përshkruar atë si rikthim te tingujt e muzikës së viteve 90-të. Ky incizim tregon edhe një herë që tingujt klasikë të muzikës country vazhdojnë të konsiderohen të veçantë dhe të pëlqehen nga masa, siç ka ndodhur kryesisht me të gjitha projektet e karrierës muzikore të Crow-in. Këngëtarja momentalisht është duke punuar edhe rreth një incizimi të ri, që do të jetë një album me duete, ku do të bashkëpunojë me artistë të njohur të skenës muzikore, të tillë si: Stevie Nicks, Willie Nelson dhe Keith Richards.
Brenda vetëm një muaji, bendi Gorillaz përfundimisht po rikthehet me një album të ri të incizuar në studio dhe i cili përfshin tërësisht material të ri muzikor. Disa prej këngëve të këtij albumi tashmë janë publikuar online dhe sipas anëtarëve të bendit, ato janë frymëzuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Ata thonë se albumi nuk është politik, por është krijuar pjesërisht falë klimës politike që e kishte pushtuar vendin kohëve të fundit. Anëtari i bendit Damon Albarn ka bërë të ditur për radion “BBC Radio 1” që albumi titullohet ‘Humanz’ me ‘z’, ngase raca e njerëzve është në tranzicion e sipër.