Showbiz

Pedofili që dikur ishte yll i muzikës lirohet nga burgu

Ish-ylli i popit Gary Glitter është liruar nga burgu pasi ka shërbyer gjysmën e 16 vjetëve të dënimit.

78-vjeçari emri i vërtetë i të cilit është Paul Gadd u dënua më 2015 për tentativë për përdhunim, katër akuza të sulmit të pahijshëm dhe një se kishte kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë më e vogël se 13 vjeç.

Në atë kohë, gjykata tha se ishte e qartë që viktimat e tij “ishin ndikuar thellë” nga abuzimi, raportoi BBC. 

Ai ka qenë një nga yjet më të mëdhenj të muzikës në vitet 1970.

Gadd ishte në majë të famës së tij kur sulmoi dy vajza, 12 dhe 13 vjeç, pasi i ftoi prapa skenës në dhomën e tij të veshjes.

Viktima më e vogël e tij kishte qenë më pak se 10 vjeç kur e çoi në shtrat dhe tentoi ta përdhunonte më 1975.

Gadd kishte mohuar akuzat kundër tij, por u shpall fajtor pas gjyqit që zgjati tri javë.

Rënia e tij nga fama ndodhi dekada më vonë, pasi ai pranoi se kishte mijëra imazhe pornografike fëmijësh dhe u burgos për katër muaj më 1999.