Showbiz

Finalizohet shkurorëzimi i Kim Kardashianit dhe Kanye Westit

Yjet e showbizit, Kim Kardashian dhe Ye, kanë arritur marrëveshje finale të shkurorëzimit, duke e shmangur procesin gjyqësor që ishte caktuar të fillojë muajin e ardhshëm.

Ish-çifti i famshëm dhe avokatët e tyre tashmë i kanë dorëzuar dokumentet e nevojshme në gjykatën e Lartë të Los Angelesit, përmes së cilave i kërkojnë gjykatësit t’i miratojë kushtet e marrëveshjes mes tyre, përfshirë këtu pagesën prej 200 mijë dollarësh në muaj të cilën Ye duhet ta paguajë për alimentacion të fëmijëve. Kjo për shkak se kohën më të madhe ata do ta kalojnë me Kardashianin.

Reperi dhe ylli televiziv do ta ndajnë kujdestarinë e përbashkët të katër fëmijëve të tyre, North, Saint, Chicago dhe Psalm, dhe asnjëri nuk do të paguajë alimentacion bashkëshortor.

Themeluesja e markës “SKIMS”, Kim Kardashian, bëri kërkesë për shkurorëzim nga reperi i njohur në vitin 2021, pas tetë vjetësh martesë me Kanyen, i cili tashmë e ka ndërruar emrin ligjërisht në Ye.

Te dy yjet u shpallën ligjërisht beqarë në muajin mars, në të cilën kohë miliarderja e famshme hoqi dorë nga mbiemri i bashkëshortit, West.

Në marrëveshjen finalë të shkurorëzimit janë përcaktuar kushtet e ndarjes së pronave mes dyshes së famshme, si dhe kujdestarisë së fëmijëve.

Kim dhe Ye, janë pajtuar që ta konsultojnë njëri-tjetrin për vendimet e mëdha rreth mirëqenies së fëmijëve, si dhe të gjitha harxhimet për sigurinë e tyre, shkollën dhe kolegjin, do të ndahen në formë të barabartë.

Ish-çifti e filloi lidhjen në vitin 2012 dhe një vit më vonë e sollën në jetë fëmijën e parë. Pak muaj pasi e filluan romancën, West i propozoi martesë Kimit në një formë spektakolare e cila u transmetua edhe në televizion përmes emisionit “Keeping Up With the Kardashians”. Ata u martuan në maj të vitit 2014 me ceremoni glamuroze dhe elegante në një kështjellë në Florence të Italisë.

Në disa deklarata të kaluara, Kim, ka thënë se dëshiron që procesi i shkurorëzimit të finalizohet sa më shpejtë që është e mundur, duke shtuar se kjo do ta ndihmonte Kanyen që ta pranojë faktin se gjithçka mes tyre ka përfunduar. Reperi 45-vjeçaqr nga Chicago, për disa muaj ka luftuar kundër ndarjes së çiftit.

Ye, në këta muajt e fundit është ballafaquar me disa probleme dhe kritika të ashpra, si dhe disa kompani të mëdha e kanë shkëputur bashkëpunimin me të, përfshirë këtu markat “Adidas”, “Gap” dhe “Balenciaga”. E gjitha për shkak të deklaratave ofenduese dhe antisemitike, të cilat e kanë dëmtuar goxha shumë imazhin e tij publik.

Kjo ishte martesa e tretë për yllin televiziv dhe afaristen 42-vjeçare, Kardashian, dhe e para për reperin dhe ikonën e modës. Ata shquheshin si një prej çifteve më të ndjekura nga publiku anembanë botës.