Ka dhënë dorëheqje edhe avokatja e pestë e angazhuar në rastin e shkurorëzimit të reperit, Kanye West.
Vetëm dy muaj më parë, ylli i hitit “Eazy” e kishte angazhuar avokaten, Samantha Spector, për ta përfaqësuar atë në procesin e shkurorëzimit nga bashkëshortja prej 8 vjetësh, Kim Kardashian, kjo pasi e kishte pushuar nga puna avokatin e kaluar, Chris Melcher. Por tani, Spector ka bërë kërkesë që të lirohet nga detyra e saj si këshilltare ligjore e reperit, pas prishjes së marrëdhënies me klientin e saj, raportoi të martën portali “Female”.
Sipas dokumenteve të siguruara nga portali “Entertainment Tonight”, Spector, e cila së fundmi e ka përfaqësuar Nicole Youngun në rastin e shkurorëzimit nga Dr. Dre, e ka informuar Westin rreth dorëheqjes së saj si dhe ka komunikuar me të përmes emailit dhe avokates së re të caktuar në rastin e reperit, Deborah Hong.
Ye e pushoi nga puna avokatin e kaluar, vetëm dy ditë para seancës dëgjimore ku Kardashian ligjërisht e fitoi statusin “beqare”. Thuhet se në një pikë, marrëdhënia e tij me Chris Melcherin ishte bërë jashtëzakonisht e vështirë, me shumë pak komunikim mes tyre, dhe besohet se reperi 44-vjeçar ka qenë një klient i vështirë për të punuar me të, sepse ndonjëherë deklaronte se dëshiron t’i zgjidhë mosmarrëveshjet me Kimin dhe në të tjera raste shprehte dëshirë për të luftuar ashpër kundër saj.
Kim dhe Kanye i kanë katër fëmijë së bashku, North, Saint, Chicago dhe Psalm. Procesi i tyre i shkurorëzimit ka më shumë se një vit që po zvarritet, kryesisht për shkak të pakënaqësive të reperit.
Themeluesja e kompanisë “SKIMS” është sulmuar publikisht disa herë nga Ye, i cili e kishte akuzuar Kimin se po e pengon t’i takojë fëmijët e çiftit. Ai po ashtu i ka publikuar disa këngë, tekstet e së cilave flisnin keq për bukuroshen 41-vjeçare dhe e ofendonin rëndë të dashurin e saj të ri, Pete Davidson.
Sidoqoftë, disa burime të afërta me reperin kanë deklaruar se tani, Kanye është fokusuar në shëndetin e tij mendor, dëshiron të qëndrojë larg dramave të shkaktuara nga ky proces i shkurorëzimit, dhe po i jep prioritet familjes së tij.