Showbiz

Rrëfehet Constance Wu, thotë se është përdhunuar në fillimet e karrierës

Constance Wu thotë se është përdhunuar në fillimet e karrierës së saj, gjatë takimit me një skenarist aspirant.

Në autobiografinë e saj të ardhshme, “Making a Scene”, aktorja 40-vjeçare deklaron se me vite të tëra kishte arritur ta fshijë incidentin e supozuar nga memoria, por gjithçka ndryshoi kur ajo u bë e famshme në Hollywood pas përfshirjes në filmin, “Crazy Rich Asians”.

“Kur ai më kërkoi takim, u ndjeva sikur më në fund kisha marrë ftesë të shoqërohesha me personat ‘cool’ të industrisë. Ai ishte një burrë 36-vjeçar, i gjatë, i hijshëm dhe ishte një New Yorkez i vërtetë”, thotë aktorja teksa e përshkruan burrin në fjalë.

Tutje, Wu pohon se dhunimi ndodhi në takimin e tyre të dytë, që zuri vend në apartamentin e tij.

Sipas rrëfimit të aktores, ai e kishte iniciuar marrëdhënien seksuale pavarësisht refuzimit të vazhdueshëm të saj. Duke qenë se ndihej pa fuqi, aktorja më në fund ishte dorëzuar.

“Nuk luftova më shumë. Thjeshtë, u dorëzova. E urrej faktin që kjo gjë ndodhi”.

Sipas aktores aziatiko-amerikane, ajo e kishte larguar nga mendja këtë incident traumatik, por 10 vjet më vonë, pasi i kishte përfunduar xhirimet e filmit që i dha kahe karrierës së saj, “Crazy Rich Asians”, të gjitha kujtimet e këqija u kthyen.

“Isha në Aeroplan duke u kthyer në shtëpi nga Singapori. Sapo isha zgjuar nga gjumi kur gjithçka më goditi si një përmbytje. Ai burrë më përdhunoi dhe unë nuk kisha bërë asgjë për këtë. Pa dashje e lëshova një zë të çuditshëm. E turpëruar, shpresoja që askush nuk më kishte dëgjuar. Për një sekondë të vetëm më kaploi paniku. Por më pas mu kujtua se unë nuk isha e pajtimit të kryeja marrëdhënie me të. Mund të mos ketë qenë seks i vrazhdë, por pa asnjë dyshim ishte përdhunim”.

Libri autobiografik i aktores, “Making a Scene”, do të publikohet më 4 tetor.