Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Sharon Stone rrëfen për sulmin tronditës: U zgjova pa e ditur çfarë më kishte ndodhur

Sharon Stone

Sharon Stone

Foto: Associated Press

Aktorja e njohur Sharon Stone ka rrëfyer për një sulm të rëndë që, sipas saj, e la pa ndjenja dhe pa kujtime të qarta për atë që kishte ndodhur.

68-vjeçarja ka treguar në podcastin “The Person Who Believed In Me” se ishte goditur nga pas nga një person, identitetin e të cilit nuk pranoi ta bëjë publik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“U godita nga pas. Për shumë vite nuk e kuptova plotësisht se çfarë më kishte ndodhur, sepse kur u zgjova nuk e dija çfarë kishte ndodhur”, ka thënë Stone, ka raportuar FemaleFirst.

Ajo ka kujtuar se kur iu rikthye vetëdija, shtëpia dukej sikur ishte përmbysur.

“Divanet ishin zhvendosur anash. Tavolina e mesit ishte përmbysur. Gjithçka që kishte qenë mbi të ishte shpërndarë nëpër dysheme dhe unë nuk e dija se si kisha përfunduar aty”, ka treguar aktorja.

Sipas saj, vetëm 10 vjet më vonë zbuloi se kishte pësuar lëndime serioze nga sulmi.

Stone shpjegoi se kishte kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të dhimbjeve të vazhdueshme në qafë dhe shpatulla, kur mjekët zbuluan diçka të pazakontë gjatë ekzaminimeve.

“Shkova në një klinikë sepse kisha shumë probleme me qafën dhe shpatullat. Mjekët bënë një sërë radiografish dhe ekzaminimesh. Më pas doktori hyri në dhomë dhe më tha: ‘Nuk do të mund ta kryejmë këtë ndërhyrje’”, ka kujtuar ajo.

Stone ka thënë se mbeti e habitur, pasi nuk e kuptonte për çfarë bëhej fjalë.

“Ai më tha: ‘Kafazi juaj i kraharorit është i mbushur me fraktura që janë shëruar me kalimin e kohës. Është e qartë se jeni sulmuar dhe ajo që ju ka ndodhur përbën një vepër të rëndë penale’”, ka treguar aktorja.

Gjatë intervistës, moderatori dhe gazetari i CBS-së, David Begnaud, e pyeti se kush ishte personi që e kishte sulmuar, por Stone refuzoi të japë emrin.

“Nuk do ta them publikisht, por mund të them se ne e raportuam rastin dhe bëmë gjithçka që duhej bërë”, ka thënë ajo.

Aktorja ka shtuar se kishte pasur mundësinë të ngrinte padi penale, por vendosi të mos e bënte.

“Kishin kaluar dhjetë vjet dhe unë jam një figurë publike”, ka shpjeguar ajo.

Ylli i filmit “Basic Instinct” ka thënë se besonte se kishte mjaftueshëm prova rrethanore për të ndërtuar një çështje ligjore, por nuk dëshironte që kjo histori të përcaktonte trashëgiminë e saj.

“Ani pse mendoja se kishte prova të mjaftueshme për të ngritur një çështje, nuk doja që kjo të kishte të bënte me mua”, ka thënë Stone.

Kur u pyet nëse bëhej fjalë për dhunë në familje ose nga partneri, aktorja zgjodhi të mos japë detaje të mëtejshme.

“Nuk jam në pozitë të flas për këtë”, u përgjigj ajo.