Bashkëthemeluesi i grupit Pink Floyd, Roger Waters, ka anuluar koncertet e planifikuara në Poloni, shkroi “Euronews” të hënën.
Një zyrtar i Tauron Arena në Krakov, ku Waters ishte planifikuar t’i mbante dy koncerte në prill të vitit të ardhshëm, tha se ato nuk janë shtyrë për asnjë datë tjetër, por janë anuluar tërësisht.
“Menaxheri i Roger Waters vendosi të tërhiqet pa dhënë ndonjë arsye”, ka thënë Lukasz Pytko nga Tauron Arena Krakov pas raportimeve të shumta të mediave polake për këtë çështje.
Në faqen e internetit ku listohen koncertet për turneun e Waters, nuk figurojnë më ato të planifikuara për 21 e 22 prill 2023 në Poloni.
Siç raportohet, anulimi ka ndodhur si pasojë e qëndrimeve të Watersit për luftën në Ukrainë.
Këshilltarët e qytetit në Krakov pritej të votonin javën e ardhshme mbi një propozim për të shpallur Watersin person non-grata, për shkak të qëndrimeve të muzikantit sa i përket luftës.
Watersi i shkroi një letër të hapur Zonjës së Parë të Ukrainës, Olena Zelenska në fillim të këtij muaji, në të cilën ai fajësoi "nacionalistët ekstremë" në Ukrainë për luftën që ka nisur më 24 shkurt.
Waters kritikoi gjithashtu Perëndimin për furnizimin e Ukrainës me armë, duke fajësuar veçanërisht Uashingtonin se po e provokon Rusinë.