Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Katër ngjarje-xixëllonjë vere

Si u vendos që të mos i jepen katër milionë euro Kanye Westit? Si u ruajt flamuri i Ukrainës në Prishtinë? Si u vunë lule në varrin e Arben Xhaferit dhe si u bë duartrokitja më e gjatë në stadiumin e Prishtinës?

1.

Ditën kur presidenti ukrainas deklaroi në Beograd, në prani të atij të Serbisë se Ukraina nuk e ka ndryshuar qëndrimin e vet rreth njohjes së “pavarësisë së shpallur njëanshëm të Kosovës” në rrjete sociale u shpreh vrulli i reagimeve të qytetarëve. Fillimisht qe pakënaqësi, pastaj një ndjenjë kolektive ofendimi - si mund të mbahet ky qëndrim kur ne e përkrahim Ukrainën - dhe pastaj një hidhërim që duhej të zbrazej duke e dënuar disi Ukrainën.

I tërë hidhërimi që duhej zbrazur u drejtua kah flamuri i Ukrainës që ishte vënë në njërën faqe të hotelit “Grand”, në qendër të Prishtinës. Kryetari i qytetit filloi të ndiejë presionin kolektiv. Edhe atij filloi t’i vlojë gjaku ende pa filluar lumi i pandërprerë i thirrjeve në rrjete sociale që autoritetet e qytetit ta largojnë një orë e më parë flamurin e këtij shteti bukëpërmbysës; gjakun e vluar nuk u përpoq ta fshehë kur filluan t’i vijnë thirrjet personale e mesazhet në telefon, porosi që e bënin atë përgjegjës për flamurin ukrainas. 

Para se të vendoste hapin tjetër e të pritshëm nga masa e rebeluar në rrjete sociale, ai ftoi konsultim me bashkëmendimtarë, bashkëpartiakë, opozitarë e kritikë të tij, njerëz që nuk kishin ndonjë mendim të caktuar politik por mu për këtë çmoheshin nga kryetari dhe pas një debati intensiv por jo domosdoshërisht të gjatë u vendos që do të përpilohej një deklaratë koncensuale gjegjësisht një që përmbledh bërthamën rreth së cilës ka pasur pajtim.

Kryetari vendosi që deklaratën ta lexojë para “Grandit” me flamurin ukrainas në prapavijë. Dhe tha:
“Kosova ka ndier në çdo familje çmimin e lartë që u pagua për liri, dhe asnjë familje kosovare nuk ka harruar ndihmën e popujve të tjerë për lirinë e këtij vendi”.

Edhe Kolumne Fauna jonë

“Kosova nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj: Ukraina meriton të jetë e lirë e të jetojë në paqe. Ky flamur do të qëndrojë në këtë godinë deri në momentin kur populli i saj, si çdo popull tjetër evropian, të ndihet i lirë e në paqe!”.

2.

Ditën kur duhej vendosur për krizën rreth koncertit të Kanye West, Qeveria e vendit mbajti mbledhje urgjente. Ajo kishte lejuar mbajtjen e koncertit për dallim prej shteteve mike që e kishin ndaluar, duke u nisur nga deklarimet publike pro-naziste që i kishte bërë. Qeveria, që ishte ndër të rrallat evropiane që kishte afinitet me qeverinë e tanishme izraelite, nuk u brengos nga akuzat për antisemitizëm. Kriza ishte e lidhur me afro 4 milionë euro që duhej shtuar nga buxheti i shtetit këtij koncerti privat në mënyrë që të ketë sukses.

Qeveria vendosi që të mos i ndajë mjetet, propozimi i bërë që mjetet të jepen nga fondi i emergjencës u refuzua shprehimisht nga kryeministri. Ai deklaroi se me ato para Shqipëria do të paguajë njërin prej dy avionëve Air Tractor AT-802F Fire Boss të porositur vjet; tjetri që qe paguar tashmë është në proces trajnimi të pilotëve dhe do të vijë së shpejti.

Në medie ndërkombëtare u dha lajmi se turneu i Kanye West nuk shkoi mirë në Evropë. Shumë shtete e ndaluan e në ato ku u lejua, si Shqipëria, nuk kishte shumë të interesuar për të blerë bileta.
Mediet në Shqipëri lajmëruan në kronika përgjatë gushtit për pilotët trima të “traktorëve ajrorë Fire Boss” që nuk lejuan që zjarri i Krujës të përhapej, pastaj as ai i Vlorës, pastaj as ai i... Çdo gazetar që raportonte nga vendi i ngjarjes tregonte se si “avionët hedhin 53.000 litra ujë në orë, volum ky që barazohet me punën e 7 deri në 10 auto-cisternave urbane të zjarrfikësve së bashku”.

3.

Ditën kur u kremtua 25-vjetori i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit kryeministri i vendit vendosi që kishte kohë edhe për një gjë, para se të fillonte protokolli zyrtar. 

Protokolli zyrtar pritej të mblidhte shefat e shteteve apo qeverive të Ballkanit Perëndimor. Maqedonia e Veriut dëshiron të tregojë historinë e saj të suksesit, madje të filluar mu me Marrëveshjen e Ohrit me të cilën dëshmoi se rruga e konfliktit zëvendësohet suksesshëm me rrugën e dialogut. Duke pritur liderët e Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut tregon se është pol i stabilitetit rajonal, një që mund të shërbejë vetëm si përkrahëse e dashamirëse për vendet fqinje - pra një shtet evropian.

Kryeministri vendosi të nisej për në Tetovë. Kishte kohë për të shkuar dhe vendosur një lule te varri i Arben Xhaferit, njeriun me të cilin mbase nuk ishte pajtuar atëherë e ndoshta nuk do të pajtohej as tash, por pa të cilin nuk do të kishte pajtim as në parim.

Edhe Kolumne “Ai turku” i Vuçiqit

Rrugës thirri disa prej liderëve shqiptarë. U përkujtoi që do të ishte mirë që – meqë ende ka kohë para fillimit të pjesës protokollare - të vendosnin një lule te varri i Boris Trajkovskit, ish-presidentit të vendit. Mund të mos jenë pajtuar me të atëherë, e mund të mos dinë se a janë pajtuar apo jo ngase ka kaluar aq kohë, por pa njerëz si ai nuk do të kishte pajtim qoftë edhe për një çështje thelbësore: se Maqedonia e Veriut funksionon vetëm si marrëveshje.

4.

Ditën kur vdiq Erdogan Celina te Klubi Futbollistik Prishtina filluan të mblidhen tifozët që e mbanin mend; ata që kishin flokë i kishin të thinjura, ata që nuk i kishin mbanin mend veten në tribunat e stadiumit të qytetit duke dhënë zë e zemër për kapitenin e skuadrën që të hynte në Ligën e parë të Jugosllavisë. 

Te stadiumi pas tifozëve të vjetër erdhën të rinjtë. Ata kishin lexuar lajmet dhe postimet në rrjetet sociale; në TV publik filluan të dalin incizimet nga ndeshjet e futbollit. Ata që mbanin mend ndeshjet mbanin mend edhe ndjenjën e përgjithshme se futbollistët e boksierët na mblidhnin për të dalë nga ndrydhja kolektive, ajo e represionit.

Në orët e vonshme të pasdites ende nuk kishte ndonjë njoftim, pos atij se kufoma do të varrosej nesër. Tifozët e vjetër dhe të rinj filluan të mbajnë mend brohoritjet e vjetra dhe të reja, aty erdhën edhe Plisat. Pas tyre filluan të vijnë deputetë, disa prej tyre mbanin mend ndeshjet, disa kuptuan se disi duhej të ishin aty. Erdhën artistë, afaristë, boemë kafiterish të viteve tetëdhjetë e nëntëdhjetë, hoxhallarë e priftërinj, politikanë të bindjeve e sjelljeve të ndryshme.

Drejtuesit e stadiumit vendosën ta hapin atë dhe të mbledhurit filluan të mbushnin tribunat; ata që mbanin mend se ku kanë qenë para dyzet vjetësh këmbët i çonin vetë.

U ndezën dritat.

Një zë nga altoparlanti deshi të tregonte për organizimin që do të bëhej për varrim nesër. Shqiptoi “Kapiteni Erdogan Celina...” dhe nga tribunat u dëgjua një duartrokitje e gjatë, mjaftueshëm e gjatë sa për ta ndërprerë fjalinë e mëtejme, aq e gjatë sa për të treguar se po nderohen kështu emri dhe kujtesa, ajo që është shkëputur tashmë nga kufoma që do të varroset të nesërmen.

Edhe Kolumne Lamtumirë, kapitenë

5.

Kështu mund të shënohet kjo verë në historinë alternative që do të shkruhet dikur.