Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kapërcimi i poshtërimit me imagjinatë dhe fuqinë emancipuese të artit

Lea Ypi

“Arti mund të sjellë pajtim aty ku politika nuk e sjell dot dhe pikërisht për këtë arsye, arti është fuqia nëpërmjet të cilës ne mundohemi që të emancipojmë edhe shoqërinë, duke treguar këto të vërteta që janë më komplekse sesa të vërtetat që i përkrah arkivi”, ka thënë studiuesja Lea Ypi

Vepra e saj “Të lirë” – e përkthyer gati në 40 gjuhë – gjen moralin e individit nën diktaturën komuniste. Kurse me “Të poshtëruar” ajo prapë me një histori familjare tregon se kapërcimi i poshtërimit bëhet me imagjinatë dhe fuqinë emancipuese të artit. Lea Ypi profesoreshë e filozofisë politike në “London School of Economics” dhe një prej zërave me nam në botë për këtë fushë, të martën mbrëma në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka mbajtur ligjëratën e titulluar “Dinjiteti dhe padrejtësia historike: historia e një familjeje shqiptare”

Studiuesja Lea Ypi ka gjetur një rrugë të përkryer që teorive filozofike e edhe pyetjeve të saja për lirinë, barazinë, dinjitetin e temave të tjera t’iu japë jetë me shembuj shumë praktikë si janë ata nga historia e familjes së saj. Vepra e saj “Të lirë” – e përkthyer gati në 40 gjuhë – gjen moralin e individit nën diktaturën komuniste. Kurse me “Të poshtëruar” ajo prapë me një histori familjare tregon se kapërcimi i poshtërimit bëhet me imagjinatë dhe fuqinë emancipuese të artit. Pa këtë ajo s’mund të rrumbullakonte jetën e as ta shpërfaqte dinjitetin e gjyshes së saj, Leman Ypi, personazh bosht i veprës. Me arkiva s’ia dilte dot. Midis të tjerash edhe pse historia tregohet si do pushteti.

Lea Ypi profesoreshë e filozofisë politike në “London School of Economics” dhe një prej zërave me nam në botë për këtë fushë, të martën mbrëma në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka mbajtur ligjëratën e titulluar “Dinjiteti dhe padrejtësia historike: historia e një familjeje shqiptare”. Ligjërata ka për bazë librin e saj të ri “të poshtëruar” me nëntitull “Të mbijetosh në epokën e ekstremeve”.

Arti si krijues i dytë

Në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ajo ligjëratën e ka nisur duke cituar dy filozofë gjermanë, Friedrich Schillerin dhe Immanuel Kantin pasi teoritë e tyre marrin jetë në mënyrë shumë praktike në librin e saj “Të lirë”. Ypi ka thënë se Schiller në poemën “Perënditë e Greqisë”, pyet: “Botë e bukur ku ke humbur”. Ka thënë se shumë nga temat e kësaj poeme janë në qendër të ligjëratës dhe librit të saj. Ka treguar se në veprimtarinë e saj letrare zënë vend temat e dinjitetit, natyrës njerëzore, tjetërsimit dhe mundësisë së pajtimit përballë padrejtësive që vijojnë në histori. Ka treguar se epigrafi i librit janë dy citime. I pari nga Immanuel Kant i cili thotë: “Në mbretërinë e synimeve çdo gjë ka ose çmim ose dinjitet”. Sipas Ypit, Kanti argumentonte se qeniet racionale si qeniet njerëzore kanë dinjitet sepse ato janë të afta ta trajtojnë njëra-tjetrën jo vetëm si mjete për një qëllim të caktuar por si qëllime në vetvete. Citimi tjetër është nga Schilleri që thotë: “Nuk është thjesht liri poetike por është edhe e vërtetë filozofike ta quajmë bukurinë dhe artin krijuesin tonë të dytë”.  Sipas Ypit, çështja që shtronte ai në esetë e tij ishte si mund të sillet pajtim në një botë të padrejtë? 

“Nëpërmjet cilëve mekanizma mund të arrijmë që idealet morale si dinjiteti, liria e barazia të na japin një lloj udhëzimi edhe politik në botën që jetojmë dhe ku e gjejmë shpresën në këtë botë”, ka thënë ajo. Ka treguar se Kanti mendonte se shpresa është një detyrim moral që vinte me veprimtari morale ndërsa përgjigja e Schillerit ishte se shpresa vjen me një lloj besimi me fuqinë emancipuese të artit, fuqinë që arti ka për të ndërmjetësuar midis ndjenjave dhe detyrimeve morale. 

Edhe Kosova midis luftës e paqes, moment kthese edhe për Gjermaninë Kulturë Kosova midis luftës e paqes, moment kthese edhe për Gjermaninë

“Pyetja që dominon veprën time është e njëjta pyetje me atë të Schillerit, pra me cilët mekanizma gjejmë dinjitetin dhe pajtimin në këtë botë të tjetërsuar e të polarizuar. I trajtoj këto pyetje nëpërmjet një udhëtimi në kohë e mendim”, ka thënë ajo, më pas ka lexuar pak nga libri. Rrugën e saj me taksi për te institucioni që tash në Shqipëri është Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, ose arkivi i ish-Sugurimit, dikur institucion i regjimit komunist në Shqipëri. 

Më pas ka sqaruar se “Të poshtëruar” është pjesërisht një sagë familjare, pjesërisht një histori politike e Evropës nga rënia e perandorive deri në rënien e komunizmit në Ballkan dhe pjesërisht një reflektim filozofik rreth kuptimit moral dhe politik të dinjitetit që shtron pyetjen se çfarë do të thotë të bësh zgjedhje me një epokë ekstremesh dhe polarizimi. E po ashtu edhe çfarë do të thotë ta bësh këtë pyetje të zgjedhjes morale të individit kur edhe epoka në të cilën shkruan shkrimtari është një epokë polarizimi me tragjeditë që përsëriten, me histori që rikthehet dhe kur autori vetë nuk i beson më epërsisë së të tashmes ndaj të shkuarës.

Fotografia që nxiti studiuesen

Ypi ka treguar se personazhi kryesor i librit është gjyshja e saj,  Leman Ypi e lindur më 1918 në Selanik si mbesë e një pashai me titull Bejlerbej i Rumelisë dhe e cila vdiq më 2006 në Tiranë. Ajo fliste shqip e frëngjisht dhe sipas Ypit, në atë kohë dhe studionte në Liceun Francez të Selanikut, një shkollë ku ajo ishte e vetmja vajzë. Sikurse tregon libri edhe Ypi në ligjëratë ka shpalosur se gjyshja e saj në moshën 20-vjeçare udhëton drejt Shqipërisë dhe qe gruaja e parë që punoi në administratën shqiptare si sekretare e një prej kryeministrave të kohës, Mehdi Frashërit. Pak më vonë ajo u martua me Asllan Ypin – jurist i diplomuar në Universitetin e Sorbonnes –  të birin e Xhafer Ypit që midis të tjerash qe edhe kryeministër i Shqipërisë. Ka shpalosur fotografi të tyre në muajin e mjaltit kur ishin në Cortina d'Ampezzo të Italisë dhe ka treguar se Leman Ypi mori nënshtetësinë shqiptare dhe votoi në zgjedhjet e 1946 që ishin zgjedhjet e fundit, ku kishte edhe kandidat jokomunist. Më pas pushteti i Enver Hoxhës kopsiti çdo gjë. Postimi i një fotografie të pushimeve të tyre në rrjetet e sotme sociale kishte ngjallur shumë komente ku çifti e sidomos Leman Ypi edhe fyheshin rëndë. E aty Ypi kishte vendosur që t’iu hyjë arkivave për të mësuar nëse ka ndonjë gjë që nuk dinte.  

“Dhe shumë pak muaj pas këtyre zgjedhjeve, Asllani u arrestua, u akuzua për agjitacion dhe propagandë dhe bashkëpunim me anglo-amerikanët dhe u dënua me 15 vjet burg që i kaloi në burgun e Burrelit”, ka treguar Ypi. Ka rrëfyer se gjyshja, Leman Ypi një vit pas arrestimit të Asllanit u vu në mbikëqyrje nga shërbimet e Sigurimit të Shtetit dhe pikërisht në atë vit u hap dosja me të cilën fillon libri, një dosje e Ministrisë së Brendshme të Republikës Popullore dhe ajo u dyshua si spiune greke, sepse kishte ardhur nga Greqia dhe banonte në Shqipëri. Gjyshja e studiueses edhe u internua e pastaj filloi punën në një kooperativë bujqësore afër Kavajës.

“Dy herë në vit ajo vizitonte Asllanin në burgun e Burrelit. Dhe tre herë në vit thirrej në zyrat e sigurimit me ofertën për t'u bërë bashkëpunëtore e sigurimit të shtetit, duke i thënë që Asllani do të lirohej nga burgu nëse ajo do të pranonte të bashkëpunonte. Tani ky është pak a shumë boshti narrativ, kjo është historia e librit. Kjo histori në libër përshkruhet me dy perspektiva dhe duke u mbështetur në dy rrëfime të ndryshme kohore të ndërthurura me njëra-tjetrën”, ka thënë Ypi.

Arkivat që gënjejnë

Ka treguar se ka një rrëfim në vetën e parë, në të cilin ajo vetë flet për përvojën e kërkimit të së vërtetës për gjyshen, pra për të kaluarën e gjyshes duke u mbështetur në arkivin e ish-sigurimit të shtetit dhe perspektivën që e ka quajtur ndërbreznore kur një mbesë kërkon të vërtetën e gjyshes, shkon në arkiv. Sipas saj, rrëfimi bëhet në vetën e parë vë përballë pritshmërinë nga njëra anë dhe zbulimet nga ana tjetër, hipotezat që mund të ketë njeriu se pse ka ndodhur ajo që ka ndodhur dhe çfarë ofrojnë dokumentet për të kompletuar këto hipoteza. 

“Dhe ku problemi filozofik i dinjitetit lidhet ngushtë me kërkimin e të vërtetës në arkivat historike me besimin se po të gjejmë të vërtetën në arkiv, ne do të pajtohemi në njëfarë mënyre me të shkuarën. Dhe ideja këtu është të gjesh si vërtetën, kush ka spiunuar, pse e cilat arsye kishin, çfarë është thënë në gjyqe të ndryshme e të tjera”, ka sqaruar Ypi. Por kishte zbuluar se arkivat përmbajnë shumë pak të dhëna objektive. Zbuloi heqje të mëdha që e nxirrnin se gjyshja i kishte vdekur më 1953. Më pas ajo në historinë e gjyshes përfshiu edhe personazhe të tjera. Dhe këtu dilet te ai që ajo e quan rrëfimi i dytë. 

“Rrëfimi i dytë është një rrëfim letrar, bëhet në vetën e tretë. Autorja ndjek gjyshen, por pa thënë që është gjyshja, ndjek një grua që quhet Leman...ndjek mënyrën se si formohet botëkuptimi i kësaj gruaje, çfarë lufte për dinjitetin duhet të bëjë ajo në takimin me këto sisteme të ndryshme politike dhe filozofike dhe është jeta e kësaj gruaje specifike me emrin Lemn Ypi por mund të ishte jeta e çfarëdo lloji të lindur, të rritur në të njëjtat kushte historike, me të njëjtën prejardhje familjare dhe që ka të njëjtat dilema”, ka thënë Ypi. Ka sqaruar se rindërtimi letrar i jetës së kësaj gruaje bëhet nëpërmjet dokumenteve, por që nuk kanë lidhje me gjyshen, pra ditar të njerëzve të tjerë, letërkëmbime, dokumente diplomatike, referenca të ndryshme, artikuj gazetash, libra historie, dokumentet qeveritare, e të tjerë, e të tjerë.

Edhe Vdiq në moshën 80-vjeçare Dolly Parton, mbretëresha e muzikës country Kulturë Vdiq në moshën 80-vjeçare Dolly Parton, mbretëresha e muzikës country

“Pra, në këndvështrimin e parë, në këtë rrëfimin e takimit me dokumentet e sigurimit Lemani shihet në sytë e shtetit si e sheh shteti dikë që e dyshon për spiun grek, për shembull, në këtë rast. Dhe në dosjet hetimore gjyqësore të anëtarëve të familjes, të afërmve të tjerë që u çuan në burg e tjetër”, ka thënë Ypi. Sipas saj në rastin e dytë, në rastin e rindërtimit letrar, shihet i njëjti personazh, por në kontekst, në dialog me bashkohësit e saj, ndërkohë që ajo veç përballet me këto ngjarjet e mëdha të shekullit 20 dhe me ndikimin e tyre. Kështu ajo nga ideja për një rikonstruksion jo fiktiv të historisë së familjes, në mungesë të dhënave arkivore, kaloi te rrëfimi letrar. Të tjerët i thoshin ka mundësi që dikush të ketë pasur mëshirë dhe ia mbylli asaj dosjen me një certifikatë të rreme vdekjeje. Por sipas Ypit, në fund të gjitha këto interpretime rezultuan të gabuara. Por s’ka treguar përse në mënyrë që të mos e zbulojë krejt librin.

“Dhe ai aspekti më interesant i kërkimit në fund të fundit, nuk kishte të bënte fare me faktet e jetës së gjyshes, por unë mendoja në rindërtimin e botës, që çoi në shkatërrimin e kësaj jete dhe që shtronte pyetjen se pse historia është lexuar në këtë mënyrë dhe pse janë këto deformime në histori dhe pse disa perspektiva nuk i gjen fare, ndërsa disa të tjera i gjen si e vetmja perspektivë objektive”, ka thënë ajo. Ka treguar se më pas zbuloi se arkivat kanë telashe të mëdha në raport me jetët reale të njerëzve edhe në Greqi, Itali e gjetiu pasi pushtetet caktonin se si shkruhej historia. 

“Në vend të shkruaja vetëm për gruan që njihja, duke u mbështetur mbi faktet e jetës së saj, që gjeja në arkiv, vendosa që t'i jap zë gjithë heshtjeve të arkivit, dhe të shtroj pikërisht këtë pyetje përse arkivat na gënjejnë? Përse e vërteta historike kontrollohet gjithmonë nga një perspektivë e elitave në fuqi që kanë interes për ta shkruar historinë në atë mënyrë”, ka thënë ajo.

Kthimi te arti 

Ypi ka bërë të ditur se duke qenë informacioni që gjeti mbi gjyshen, ishte ndonjëherë shumë i saktë, dhe ndonjëherë plotësisht i gabuar vendosi që ta përfshijë edhe këtë histori mungese nëpërmjet një metode që vetëm letërsia mund ta ofrojë. Sipas saj, historia dhe filozofia nuk e kanë, nuk e japin dot. Nisi t’iu japë zë personazheve që kishin vdekur pa lënë asnjë pasardhës dhe ato mund të regjistroheshin në librin e saj vetëm në qoftë se i adoptonte dhe të bënte sikur i njihte.

“Kështu që edhe lexuesit kur e marrin librin në dorë, nuk e dinë a është dokument historik, a është dokument letrar, a është fakt, apo është fiksion  sepse kjo ndjesia që unë kisha marrë në dosje dhe nuk e dija nëse dosja ishte moment historik apo ishte shpikje. Dhe kjo do të thotë, për ta përmbyllur që libri përfundon me një mesazh shprese në një epokë të pashpresë, që i kthehet atij mesazhi të Friedrich Schillerin, me të cilin e fillova ligjëratën”, ka thënë ajo. I është kthyer mesazhit se historia është krijuesi i parë dhe arti është krijuesi i dytë, ose bukuria, siç thotë Friedrich Schilleri. 
“Dhe për këtë arsye personazhi kryesor i librit është një personazh hibrid edhe gjyshja ime edhe një personazh i trilluar. Është edhe një person, një individ, me të cilin nuk ka një lidhje shpirtërore, por është edhe një figurë abstrakte, nëpërmjet të cilës mund të rrëfejmë historinë e shekullit 20 dhe traumat që njerëz të ndryshëm kanë kaluar në shoqëri të ndryshme si pasojë e këtyre përplasjeve për identitet e të tjera”, ka thënë ajo. Sipas saj e vërteta e jetës së personazhit nuk është e thjeshtë dhe kërkon metodën pluraliste për ta përfshirë e trajtuar historinë e saj. E pas kësaj i është kthyer teorive. Ka përmendur se Friedrich Schillerin në një ese ku shtron çështjen e dinjitetit të njeriut, tregon se një kafshë nuk bën ndonjë gjë tjetër përveçse të çlirohet nga instinkti, por njeriu ka aftësinë për të luftua dhe kjo aftësi për të luftuar është ajo që jep identitet dhe që i jep dinjitet edhe në kushte kur duket sikur armiku e ka marrë çdo gjë morale që mund t'i ketë mbetur qenies njerëzore. 

“Dhe shprehja me të cilën kjo forcë morale shfaqet në botë quhet dinjitet”, i është referuar ajo Schillerit. Ka treguar se ndërkohë që shkruante për çështjen e dinjitetit, i bënte vazhdimisht pyetjen vetes se çfarë do të thotë ta lidhësh dinjitetin pikërisht me mënyrën se si gjendet në faktet historike. Sipas saj, faktet historike janë të besueshme vetëm kur ne i besojmë edhe mekanizmave me të cilat transmetohen faktet pasi kur nuk u besohet mekanizmave, edhe fakti ka rëndësi më, fakti transformohet.

“Dhe si studiuese, ndonjëherë në qasjen time, në takimin tim me arkivat historike nuk kisha më besim në përpjekjen time, sepse nuk e dija se ka një fuqi ideologjike që po manipulon edhe sot, ndërkohë që në dyshon çdo fuqi ideologjike të së kaluarës, e nuk e dimë nëse edhe sot ka dikush një strukturë, një pushtet, një ligj që mundohet të na bëjë ta tregojnë historinë ashtu si duan ata dhe jo ashtu si do ta tregonim ne vetë. Dhe kur dëmet e të shkuarës gjejnë gjithmonë mënyra për të vazhduar në të tashmen, pyetja ime ishte e njëjta pyetje e Friedrich Schillerit: si mund të vazhdojë morali që të jetë një udhëzues në jetën politike?”, ka thënë ajo. Ka shpalosur se kjo është tema qendrore e librit: mundësia e njohjes të së vërtetës mbi të shkuarën në kushtet e një padrejtësie që vazhdon në të tashmen. Ka treguar se dilema e saj është e njëjta dilemë me Friedrich Schillerin, ajo që reflekton Schilleri kur flet për faktin se kur pritet përmirësimi nga jeta politike ndërkohë që jeta politike është vetë arbitrare, ka vetë këtë vullnet të gabuar, nuk kërkon të vërtetën morale, por kërkon të vërtetën e pushtetit. Ka ngritur pyetjen se cilat janë armët në të cilat intelektualët, shoqëria, mund t'u kërkojë të vërteta morale. “Dhe përgjigja ime në libër është e njëjta në atë të Friedrich Schillerin, që është instrumenti i edukimit politik, është arti. Sepse vetëm arti, siç thotë Schilleri, ka një fuqi që t'i rezistojë pushtetit”, ka thënë Ypi. Duke iu referuar Schillerit ka thënë se pushteti mund të rekrutojë, mund të komprometojë një artistë specifik, por jo përpjekjen për të prodhuar art në përgjithësi. Ka thënë se ka diçka në fuqinë estetike në fuqinë e artit që e lidh atë me etikën. 

“Dhe sigurisht për këtë arsye arti mund të sjellë pajtim aty ku politika nuk e sjell dot dhe pikërisht për këtë arsye, arti është fuqia nëpërmjet të cilës ne mundohemi që të emancipojmë edhe shoqërinë, duke treguar këto të vërteta që janë më komplekse sesa të vërtetat që i përkrah arkivi”, ka thënë Ypi. Derisa ka ngritur pyetjen se ku gjendet shpresa, është kthyer te Schilleri.  

Edhe Hermeneutika e udhëzuar propozohet si dije dhe ideologji letrare Kulturë Hermeneutika e udhëzuar propozohet si dije dhe ideologji letrare

Ka thënë se sugjerimi i Schillerit është që t’i kthehemi artit dhe fuqisë së imagjinatës për të orientuar njeriun drejt moralit dhe në këtë kontekst nuk ka rëndësi fare se kush ishte gjyshja ime. 

“Pra a është e vërtetë, apo është e trilluar sepse ka një të vërtetë filozofike që arti e shpreh, nëpërmjet kësaj përpjekjeje për të përfshirë zërat e heshtur në arkiv dhe ka një të vërtetë historike për gjyshen që kërkon pluralizimin e perspektivave për t’i sjellë ato me atë lloj autenticiteti si dikush që mundohet të mbrojë dinjitetin në sferën publike”, ka thënë ajo. “Dhe pajtimi në këtë kontekst dhe në këtë interpretim nuk ka të bëjë me arritjen e fundit të një procesi. Por me ndërtimin e një marrëdhënie të drejtë mes njerëzve, ndërkohë që ne kërkojmë të arrijmë këtë fund. Pra me gjetjen në një mënyrën për t'u përballur me konfliktet e të shkuarës dhe me marrëdhëniet që ndërtojmë mes njerëzve, ndërkohë që mundohemi t'i zgjidhim këto konflikte”, ka shtuar në këtë rast. Është kthyer në krye të herës duke thënë se  historia me të cilën filloi ligjërata që është historia me pyetjen e së vërtetës rreth jetës së kësaj gruaje, apo rreth jetës së kësaj familjeve shqiptare, qëndron vetëm pjesërisht te rindërtimi i fakteve të jetës së kësaj gruaje, sepse po aq i rëndësishëm është roli i përfytyrimit, roli i imagjinatës në rikthimin e atyre perspektivave që mungojnë në arkiv, që mungojnë me të vërtetat historike.
“Po aq i vlefshëm është interpretimi i atyre fakteve dhe lloji i katarsisit që vjen nga kjo, nga kjo përpjekje nuk është gjetja përfundimtare e të vërtetës së të shkuarës, por hapja e pyetjeve të reja për mënyrën se si ne angazhohemi në të ardhmen dhe për këtë arsye poshtërimi për të cilin unë flas në libër është poshtërimi i jetës së kësaj gruaje nga politika, nga pushteti, kapërcehet vetëm me këtë përpjekje të imagjinatës dhe me këtë fuqi emancipuese që ka letërsia dhe arti”, ka përfunduar Ypi një prej ligjëratave me të rëndësishme të këtij edicioni të Seminarit. Në e ditën e ligjëratës së saj sikurse në çdo ditë tjetër të Seminarit janë mbajtur referime e kurse të shqipes. Pikërisht në shqip ka ardhur edhe ligjërata e Ypit e cila njihet si shkrimtare dygjuhëshe.