Kulturë

Kosova midis luftës e paqes, moment kthese edhe për Gjermaninë

Kosova midis luftës e paqes, moment kthese edhe për Gjermaninë

Sylë Ukshini ka mbledhur dokumente arkivore gjermane, amerikane e shqiptare, duke i ndarë zhvillimet në pesë faza të politikës gjermane: hezitimi fillestar, tronditja morale, alarmimi për Kosovën, ndërhyrja e NATO-s, e cila shënon kthesën historike për Gjermaninë dhe faza e përfshirjes në statusin e pasluftës

Bazuar në dokumente arkivore, Sylë Ukshini me librin “Roli i politikës së jashtme të Gjermanisë ndaj Kosovës 1990–2008” sjell një panoramë të zhvillimeve politike e diplomatike te Gjermaninë që nga fillimi i viteve ‘90 deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe proceset që kanë pasuar atë. Kryefjalë është “kapërcimi” i shtetit gjerman nga roli pasiv në një aktor kyç të atij operacioni ndërkombëtar, politik dhe ushtarak. Historiani gjerman, Konrad Clewing, e ka vlerësuar librin si një kontribut të rëndësishëm në historiografinë moderne të politikës së jashtme gjermane

Mënyra se si politika gjermane ka vepruar gjatë krizës së Kosovës dhe në procesin e shtetndërtimit pas luftës është diskutuar të enjten në librarinë “Dukagjini” gjatë një paneli diskutues, ku është përuruar libri “Roli i politikës së jashtme të Gjermanisë ndaj Kosovës 1990–2008” nga Sylë Ukshini, që sjell një studim të gjerë mbi “krisjen” e politikës gjermane të viteve të mëhershme dhe transformimin e saj deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ngjarja është zhvilluar në praninë e autorit dhe panelit të përbërë nga historiani gjerman, Konrad Clewing, dhe ish-ambasadori i Kosovës në Tajlandë, Muhamet Brajshori, teksa paneli është moderuar nga Ardi Visoka.

Libri paraqet një panoramë të zhvillimeve politike e diplomatike që nga fillimi i viteve ‘90 deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe proceset që kanë pasuar atë. Ukshini ka mbledhur dokumente arkivore gjermane, amerikane e shqiptare, duke i ndarë zhvillimet në pesë faza të politikës gjermane: hezitimi fillestar, tronditja morale, alarmimi për Kosovën, ndërhyrja e NATO-s, e cila shënon kthesën historike për Gjermaninë dhe faza e përfshirjes në statusin e pasluftës. Në ngjarje kanë qenë të pranishëm shumë figura diplomatike, politikanë, njohës të çështjeve politike e gazetarë.

Ukshini ka theksuar se qëndrimi pacifist i Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore ka formësuar mënyrën se si është bërë përkrahja ndaj politikave kosovare të asaj kohe.

“Një nga arsyet pse politika e Bonit, atëherë ka qenë e Bonit, ka qenë përkrahëse e linjës politike të Rugovës, është sepse politika gjermane pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë thellësisht pacifiste, kjo është në kontekstin historik dhe ky ka qenë një problem që është vështirë të tejkalohet”, ka thënë autori i librit studimor.

Ka bërë një krahasim mes vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit dhe ndikimit të tyre në zhvillimin e politikave në Ballkan, duke theksuar rolin e Gjermanisë.

“Gjermania, duke mos qenë pjesë e Këshillit të Sigurimit, mori rol të fuqishëm brenda Grupit të Kontaktit dhe u bë një lloj ndërmjetësuesi mes pozicionit më të vendosur amerikan dhe pozicionit më të hapur evropian”, ka shtuar ai.

Roli i Gjermanisë në krizën e Kosovës

Historiani gjerman, Konrad Clewing, e ka vlerësuar librin si një kontribut të rëndësishëm në historiografinë moderne të politikës së jashtme gjermane. Sipas tij, ndërhyrja e vitit 1999 për Kosovën është momenti kur Gjermania e bashkuar ka filluar të formësohet si fuqi civile aktive në skenën ndërkombëtare. Ai ka theksuar se politika gjermane e asaj periudhe është orientuar fort kah normat e së drejtës ndërkombëtare dhe nga multilateralizmi.

“Kjo shfaqet vazhdimisht në libër, madje edhe në pjesë që sot nuk janë më menjëherë të kuptueshme. Duke qenë se orientimi i politikës gjermane ndaj Kosovës në vitin e luftës, 1999 ka qenë drejtuar drejt çështjes së të drejtave të njeriut dhe sigurisë rajonale, të dyja të rrezikuara nga dëbimi masiv dhe sistematik i kosovarëve nga forcat serbe dhe nga ana tjetër përpjekja e suksesshme në atë kohë pati përfshirë edhe Rusinë në proces”, ka thënë ai.

Ka sjellë në vëmendje edhe përpjekjet e diplomacisë gjermane për ta përfshirë Rusinë në proces, për të shmangur ndarjet mes fuqive të mëdha në Evropë dhe SHBA-së.

“Libri tregon – dhe këtu isha i habitur edhe unë – se edhe në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, akterë të rëndësishëm gjermanë, si ish-ministri i Jashtëm, Steinmeier, aktualisht president federal i Gjermanisë, preferonin qasjen më të kujdesshme, sërish me arsyetimin se duhej disi të përfshihej edhe Rusia. Siç dihet tani, kjo përpjekje ka qenë naive edhe në atë kohë”, ka shtuar historiani Clewing.

Ai ka argumentuar se procesi drejt pavarësisë së Kosovës ka nxjerrë në pah dilema të brendshme politike në Gjermani. E ka konsideruar librin e Ukshinit si të pasur me referenca sistematike për Grupin e Kontaktit, madje më shumë se çdo botim tjetër që ka lexuar, mirëpo autorit i ka dhënë një kritikë të lehtë për mospërfshirjen e një indeksi emrash, vendesh e fjalësh kyç.

“Kjo është për të ardhur keq, sepse libri ka aq shumë për të ofruar. Në libër gjen më shumë analiza dhe referenca sistematike për Grupin e Kontaktit se në çdo botim tjetër që kam lexuar deri tash”, ka thënë Clewing.

Momenti transformues për politikën gjermane

Ish-ambasadori Muhamet Brajshori ka theksuar se Ukshini trajton dy dimensione kryesore: ndikimin që ka pasur çështja e Kosovës në transformimin e vetë politikës së jashtme gjermane dhe mënyrën se si Gjermania e ka sjellë Kosovën nga periferia diplomatike në qendër të rendit të ri evropian. Sipas tij, mbyllja e çështjes së ribashkimit gjerman në fund të viteve ‘90 e ka hapur mundësinë për një rol më aktiv të Gjermanisë në çështjet ndërkombëtare, përfshirë Kosovën.

“Ndërhyrja gjermane në Kosovë e ktheu Gjermaninë nga një aktor pasiv në një aktor kyç të atij operacioni ndërkombëtar, politik dhe ushtarak. Ukshini e interpreton ndërhyrjen në Kosovë si fazën e transformimit të politikës së jashtme gjermane, duke u bazuar në tri çështje kyç: Gjermania e riaktivizon grupin e kontaktit me çështjen e Kosovës, mbështet fuqishëm ndërhyrjen e NATO-s dhe luan një rol kyç në balancimin e dallimit mes Rusisë, SHBA-së dhe NATO-s në botë”, është shprehur ai.

Duke komentuar fazat e angazhimit gjerman, Brajshori ka theksuar se ndërhyrja e NATO-s ka qenë momenti kur Gjermania “ka dalë nga hija e historisë së saj” dhe ka testuar rolin e saj si aktor strategjik. Ky proces, sipas tij, ka prodhuar tri zhvillime të rëndësishme: normalizimin e politikës së jashtme gjermane nga fuqi civile në aktor të sigurisë, marrjen e rolit udhëheqës brenda Evropës dhe rikthimin e dimensionit moral në vendimmarrjen shtetërore.

Ai ka shtuar se njohja e pavarësisë së Kosovës për Gjermaninë nuk ka qenë një hap i thjeshtë linear, por një proces me debate të brendshme, në të cilin Gjermania ka luajtur rol balancues mes SHBA-së, Britanisë, Francës dhe Rusisë.

Promovimi ka shpalosur një studim të gjerë që e vendos çështjen e Kosovës në raport të drejtpërdrejtë me transformimin e politikës gjermane në periudhën pas Luftës së Ftohtë. Panelistët kanë vlerësuar se libri hap horizonte të reja kërkimore si për historinë moderne gjermane, ashtu edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.

Mes tjerash është thënë se Sylë Ukshini ka bërë një kontribut të rrallë në historiografinë moderne të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke ndriçuar mënyrën se si Gjermania e bashkuar ka evoluuar nga politika e vetëpërmbajtjes ushtarake drejt një fuqie civile aktive që ka luajtur një rol kyç në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe transformimin e Ballkanit.