Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Roger Waters – mjet propagandistik për Moskën?

Roger Waters

Rusia me sa duket e ftoi Watersin në takim pas intervistës së tij për “Berliner Zeitung”, në të cilën ai bëri komente kritike për dërgesat e armëve në Ukrainë dhe vlerësoi presidentin rus, Vladimir Putin, si dikush që “qeveris me kujdes, duke marrë vendime mbi bazën e një konsensusi”.

Ai përsëriti gjithashtu propagandën zyrtare të Rusisë, duke deklaruar se sulmi ndaj Ukrainës ishte në fakt një “operacion special ushtarak”.

“Një tullë tjetër në mur”

“E trishtueshme për ish-fansat e tij, që e shohin atë duke pranuar rolin e një tulle tjetër në mur – muri i dezinformimit dhe propagandës ruse”, tha ambasadori ukrainas në OKB, Serhij Kyslyza, duke iu referuar hitit botëror të “Pink Floyd” më 1979, “Another Brick In The Wall”.

Zëvendësambasadori i SHBA-së, Richard Mills, tha se Waters “ka përvojë mbresëlënëse si artist”, por se kualifikimet për të folur me këshillin si ekspert në kontrollin e armëve ose çështjet e sigurisë evropiane nuk janë shumë të besueshme.

Nuk është hera e parë që Waters flet publikisht për luftën në Ukrainë. Në shtator të vitit 2022, ai akuzoi Zelenskyy për “nacionalizëm ekstrem” dhe i kërkoi Perëndimit të ndalonte furnizimin e Ukrainës me armë. Si rezultat i kësaj, koncertet e tij në Krakovë të Polonisë u anuluan dhe administrata e qytetit e shpalli atë “person të padëshiruar”.

I akuzuar për antisemitizëm

Në Gjermani, një aleancë e grupeve hebreje ka bërë thirrje për anulimin e koncertit të Waters të planifikuar në fund të majit në Frankfurt. Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën, aleanca akuzoi Watersin për propagandë antisemite dhe shprehje të armiqësisë ndaj hebrenjve. Nënshkruesit e quajnë Watersin një “antisemit, teoricien konspirativ dhe urrejtës i Izraelit” dhe e akuzojnë atë për mbrojtjen e diskriminimit ndaj artistëve hebraiko-izraelitë bazuar në trashëgiminë e tyre dhe i cili ushtron presion mbi muzikantët që duan të performojnë në Izrael. Ka një kufi për lirinë e shprehjes kur bëhet fjalë për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor në sferën publike, argumentojnë ata.

Uwe Becker, komisioneri i antisemitizmit në shtetin e Hessenit, argumentoi në janar se Waters “po mbron lëvizjen antisemite të bojkotit BDS, e cila po shënon agresion në rritje”. BDS u bën thirrje muzikantëve, sportistëve, kompanive dhe politikanëve që të mos investojnë ose të performojnë në Izrael.

Komisionerja për Kulturë dhe Media e Qeverisë, Claudia Roth, i tha gazetës “Jüdische Allgemeine” të enjten se megjithëse nuk mund të ndalonte një koncert, ajo do të donte të shihte organizatorët duke refuzuar mbajtjen e koncerteve të Waters, “dhe nëse ato ende zhvillohen, ai të luajë në sallat bosh”. Ajo tha se ndjen keqardhje për ndryshimin e muzikantit, i cili “dukshëm është bërë një mbështetës aktiv i BDS-së dhe, për më tepër, një teoricien konspiracioni”.

Ish-shokët e grupit “Pink Floyd”, kundër Waters

Waters ka lejuar në të kaluarën tullumbace në formë derri që shfaqin Yllin e Davidit të ngrihet në koncerte.

Në turneun e tij të tanishëm, ai thuhet se i ka thënë audiencës se nëse e duan “Pink Floyd”, por nuk mund ta durojnë politikën e tij, ata gjithashtu mund të “shkojnë në bar, tani”.

Ish-shokët e grupit të Waters, të cilët kanë qëndrim kundër luftës së agresionit të Rusisë, gjithashtu u distancuan nga muzikanti kontrovers.

Polly Samson, tekstshkruese e “Pink Floyd”, e cila është martuar me ish-anëtarin e grupit “Pink Floyd”, David Gilmour, pas intervistës që Waters dha për “Berliner Zeitung”, shkroi në Twitter: “Ju jeni i kalbur deri në rrënjët tuaja antisemitike” dhe jeni "apologjet i Putinit”. Gilmour ra dakord: “Çdo fjalë është e vërtetë”.

Grupi britanik “Pink Floyd”, i themeluar në vitin 1965, është një nga grupet më të suksesshme në historinë e rockut, me albume si: “The Dark Side of The Moon” dhe “The Wall”. Roger Waters u largua nga grupi në mesin e viteve ‘80 dhe që atëherë ka ndjekur një karrierë solo.

Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Mirjetë Sadiku

Artikuj të ngjashëm