Shpesh gjërat janë të thjeshta sa s’bëhet, sidomos tani kur Rusia është duke u bërë gati për të festuar përvjetorin e luftës me ofensivën e re. Është e turpshme të fajësosh Ukrainën për aktet shkatërrimtare të Rusisë ose të keqportretizosh rezistencën heroike të ukrainasve si refuzim të paqes
Majin e kaluar, pak para se të zgjidhej president i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva pohoi se presidenti ukrainas dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë përgjegjësi të barabartë për luftën në Ukrainë. Edhe nëse refuzimi për të marrë anën vjen nga Brazili, Afrika e Jugut apo India, të pohosh se je “neutral” në luftën e Rusisë është poshtërim.
Kjo gjë është e vërtetë edhe për individët. Nëse një kalimtar sheh një burrë duke rrahur keq fëmijën në skajin e rrugës, ne presim që kalimtari të provojë ta ndalë atë. Këtu nuk bëhet fjalë për neutralitet. Në të kundërtën, ne do të dënonim paturpësinë morale të mosveprimit.
Atëherë, si duhet të reagojmë ndaj qëndrimeve të Roger Watersit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara? Në një video-thirrje aktivisti dhe bashkëthemeluesi i grupit “Pink Floyd” pohonte se është duke folur në emër të “katër miliardë e ca vëllezërve dhe motrave” rreth botës. Ai e bëri të qartë se lufta e Rusisë në Ukrainë është ilegale dhe duhet të dënohet me mjetet “më të fuqishme të mundshme”. Mirëpo pastaj ai nxitoi për të shtuar: “Pushtimi rus i Ukrainës nuk ishte i paprovokuar, prandaj dënoj edhe provokatorët në termet më të fuqishme të mundshme... E vetmja mënyrë e ndjeshme veprimi sot është thirrja për armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë. Nuk duhet çuar dëm asnjë jetë ukrainase apo ruse, asnjë, të gjitha janë të çmuara në sytë tanë. Pra, ka ardhur koha që pushtetit t’ia themi të vërtetën”.
A është e “vërteta” e Watersit njëmend shprehje e neutralitetit? Në një intervistë në fillim të muajit për “Berliner Zeitung” ai ka thënë: “Ndoshta nuk duhet të jem, por jam më i hapur për të dëgjuar se çfarë ka për të thënë Putini. Sipas zërave të pavarur që kam dëgjuar, ai qeveris kujdesshëm, merr vendime sipas konsensusit në qeverinë e Federatës Ruse”. Si një zë i pavarur që nga afër përcjell mediat ruse, e di fort mirë se çfarë kanë për të thënë Putini dhe propaganduesit e tij. Shumica e kanaleve televizive janë të mbushura me analistë që rekomandojnë se ndaj shteteve si Polonia, Gjermania ose Mbretëria e Bashkuar duhen përdorur bombat bërthamore. Udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadyrov, një prej aleatëve më të afërt të Putinit, tani hapur bën thirrje që “lufta kundër satanizmit të vazhdojë në krejt Evropën dhe së pari në territorin e Polonisë”.
Në fakt, linja zyrtare e Kremlinit luftën e përshkruan si “operacion special” për denazifikimin dhe dedemonizimin e Ukrainës. Në mesin e “provokimeve” të Ukrainës janë edhe leja që të mbahen Paradat e Krenarisë dhe që të drejtat për LGBTQ+ minojnë normat tradicionale të seksit dhe rolet e gjinisë. Komentuesit në vijë me Kremlinin flasin për “totalitarizëm liberal”, madje shkojnë aq larg sa argumentojnë se vepra “1984” e George Orwellit ishte kritikë për liberalizmin dhe jo fashizëm apo stalinizëm.
Askush nuk mund të gjejë të tilla qëndrime në mediat perëndimore, në të cilat motivi kryesor është se ne duhet t’i ndihmojmë Ukrainës për të mbetur gjallë. Për aq sa di unë, askush nuk ka kërkuar që kufijtë e Rusisë të ndryshohen ose që një pjesë e territorit të saj të merret në grusht. Në raste më të këqija, gjen kërkesa kundërproduktive për të bojkotuar kulturën ruse, se disi regjimi i Putinit përfaqëson Pushkinin, Çajkovskin dhe Tolstoin. Ashtu siç po përkrahim Ukrainën kundër agresorit, ashtu duhet të mbrojmë kulturën ruse kundër abuzuesit të saj në Kremlin. Gjithashtu duhet të shmangim triumfalizmin dhe të kornizojmë objektivat tona në terma pozitivë. Qëllimi kryesor nuk është që Rusia të humbë dhe poshtërohet, por të mbijetojë Ukraina.
Shtetet “neutrale” jashtë Perëndimit pretendojnë se lufta është konflikt lokal që zbehet kur krahasohet me tmerret e kolonializmit apo ngjarjeve të fundit siç është pushtimi amerikan i Irakut. Mirëpo, kjo është shmangie e dukshme. Tekefundit, lufta imperialiste e Rusisë në vetvete është akt kolonializmi. Ata që do të pretendonin neutralitetin e humbin pozitën e tyre për t’u ankuar për tmerret e kolonializmit kudo në botë. Waters është eksponent i zëshëm i rezistencës palestineze ndaj kolonizimit izraelit. Pse është më pak e denjë për t’u mbështetur rezistenca e Ukrainës ndaj kolonizimit rus?
Shpesh gjërat janë të thjeshta sa s’bëhet, sidomos tani kur Rusia është duke u bërë gati për të festuar përvjetorin e luftës me ofensivën e re. Është e turpshme të fajësosh Ukrainën për aktet shkatërrimtare të Rusisë ose të keqportretizosh rezistencën heroike të ukrainasve si refuzim të paqes. Ata si Watersi, që bëjnë thirrje për “armëpushim të menjëhershëm” do t’i detyronin ukrainasit t’i përgjigjeshin agresionit të dyfishuar rus duke braktisur vijën mbrojtëse. Kjo është formula jo për paqen, por paqësim.
Vlen të përmendet – edhe një herë – se Rusia po mbështetet në triumfin e argumentit “neutral”. Siç shpjegon historiani ushtarak Michael Clarke, “plani i Kremlinit do të jetë që të vazhdojë të luftojë derisa Perëndimi të lodhet dhe të bëjë presion mbi Kievin që të qetësohet me çfarëdo që territori do t’i kenë marrë deri atëherë”. Rusia është duke punuar fort për zgjatje të luftës në të cilën do të përfshiheshin qetësisht edhe rreth 600 mijë ushtarë çdo vit për “të ardhmen e pacaktuar”.
Watersi pothuajse ka të drejtë: Ukraina në fakt është duke “provokuar” Rusinë, duke refuzuar t’u dorëzohet ambicieve të saj imperialiste, edhe atëherë kur përballet me mundësi të pakta. Në këtë pikë e vetmja mënyrë që do ta ndalte provokimin ndaj fqinjit të saj agresiv revizionist do të ishte që t’i lëshonte armët dhe të dorëzohej. Kjo situatë, siç do të pajtohej Waters, është e vërtetë edhe për Palestinën.
Mirëpo dorëzimi ndaj imperializmit nuk do të sjellë paqe as drejtësi. Për të ruajtur mundësinë e arritjes së njërës prej tyre, duhet të heqim dorë nga pretendimi i neutralitetit dhe të veprojmë në përputhje me rrethanat.
Slavoj Zhizhek, është profesor i Filozofisë në European Graduate School, është drejtor ndërkombëtar i Institutit Birkbeck për Shkenca Humane në Universitetin e Londrës dhe autor i librit më të ri “Heaven in Disorder” (OR Books, 2021). Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”. Përktheu: Gent Mehmeti