Ylli i “Pink Floyd”, Roger Waters ka ripërsëritur në një fjalim në Kombet e Bashkuara pretendimin e tij se lufta ruse në Ukrainë ishte "e provokuar".
Muzikanti u ftua nga Rusia për t'iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai bëri thirrje për një armëpushim dhe dënoi luftën "ilegale" të Rusisë, por gjithashtu denoncoi "provokatorët" në Perëndim që ai pretendoi se ishin përgjegjës, raportoi BBC-ja.
Ambasadori ukrainas në OKB, Sergiy Kyslytsya e quajti fjalimin e Waters "një tjetër tullë në mur" të dezinformimit rus.
Rusia i kërkoi Waters-it, 79 vjeç, t'i drejtohej Këshillit të Sigurimit pas një interviste për një gazetë gjermane, në të cilën ai vlerësoi udhëheqjen e Vladimir Putinit.
"Pushtimi i Ukrainës nga Federata Ruse ishte i paligjshëm. Unë e dënoj atë në termat më të ashpër të mundshëm. Gjithashtu, pushtimi rus i Ukrainës nuk ishte i paprovokuar, ndaj edhe unë i dënoj provokatorët në termat më të ashpër të mundshëm”, ka deklaruar ai përmes një videolidhjeje.
Edhe
Ana e errët e neutralitetit
"Sipas mendimit tonë, e vetmja mënyrë e arsyeshme e veprimit sot është të bëjmë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë. Asnjë jetë ukrainase apo ruse nuk duhet harxhuar, as një, ato janë të gjitha të çmuara në sytë tanë”, ka shtuar ai.
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, hodhi poshtë referencën e muzikantit për paligjshmërinë e pushtimit.
Diplomati komplimentoi "analizën e tij shumë të saktë të ngjarjeve" dhe përsëriti besimin e tij se Perëndimi po bënte luftë kundër vendit të tij.
Ndërkaq, Kyslytsya i Ukrainës iu referua teksteve të Pink Floyd në përgjigjen e tij, duke vënë në dukje se grupi dikur ishte bërë i paligjshëm nga Bashkimi Sovjetik për shkak të protestës kundër pushtimit të Afganistanit në vitin 1979.
"Është ironike, nëse jo hipokrite, që Waters tani përpiqet të zbardhë një pushtim tjetër”, ka thënë Kyslytsya.
Edhe
Roger Waters – mjet propagandistik për Moskën?
"Sa e trishtueshme për ish-fansët e tij që e shohin atë duke pranuar rolin e një tulle tjetër në mur - muri i dezinformimit dhe propagandës ruse”, ka shtuar ai.
Presidenti Putin ka fajësuar vazhdimisht për luftën në Ukrainë zgjerimin e NATO-s dhe shtytjen e Ukrainës për t'u bashkuar me të. Por vendet e Evropës Lindore kërkuan t'i bashkoheshin aleancës mbrojtëse si një masë mbrojtëse kundër Rusisë, ndërsa Suedia dhe Finlanda aplikuan për t'u bashkuar vetëm pas nisjes së luftës, më 24 shkurt 2022.