Jack Harlow, Nicki Minaj dhe LL Cool J, janë lajmëruar si bashkëprezantuesit e edicionit të ardhshëm të ceremonisë, “MTV Video Music Awards”.
Këtë vit, kjo ngjarje e madhe muzikore mbahet më 28 gusht, në qendrën “Prudential” në New Jersey.
Minaj, Harlow, Lizzo, “Måneskin”, Anitta, “BLACKPINK”, J Balvin, Marshmello x Khalid dhe “Panic! At The Disco”, janë disa nga performuesit e mbrëmjes, derisa emrat e artistëve të tjerë pjesëmarrës do të bëhen të ditur së shpejti.
Tre bashkëprezantuesit, për të cilët organizatorët thonë se do ta sjellin një “qasje më inovative dhe unike” në skenë, do t’i prezantojnë disa prej pikave kryesore të programit, përfshirë këtu lajmërimin e performancave dhe personave që do t’i ndajnë shpërblimet.
Jack Harlow është i nominuar në shtatë kategori të ceremonisë “MTV Video Music Awards”, kurse Nicki Minaj do ta pranojë çmimin special të mbrëmjes, “Michael Jackson Video Vanguard”, që e nderon karrierën e saj muzikore. LL Cool J e kishte pranuar këtë çmim në vitin 1997.
Edhe këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Dua Lipa, garon sivjet në gjithsej pesë kategori të këtyre shpërblimeve, njësoj sikurse yjet Ed Sheeran, Billie Eilish, Drake, Taylor Swift dhe The Weeknd.
