Showbiz

Dua Lipa në mesin e artisteve të nominuara për “MTV VMA”

Sam Smith dhe Dua Lipa janë ndër artistët britanikë që kanë arritur të fitojnë nominime për çmim “MTV Video Music Awards”.

Smith, i cili bashkëpunoi me Kim Petras në realizimin e hitit “Unholy”, arriti të nominohet në katër kategori përfshirë këtu çmimin kryesor, “Videoklipi më i mirë i vitit”, ku garon krahas artistëve, Doja Cat me këngën “Attention”, Miley Cyrus me “Flowers”, Nicki Minaj me “Super Freaky Girl”, Olivia Rodrigo me “Vampire”, SZA me “Kill Bill” dhe Taylor Swift me “Anti-Hero”.

“Unholy” po ashtu ka marrë nominim në kategorinë “Kënga më e mirë e vitit”, ku ballafaqohet me një konkurrencë goxha të fortë si hitet, “Flowers”, “Kill Bill”, “Anti-Hero”, “Calm Down” dhe “Bad Habit”. Dy nominimet tjera i ka për “Regjinë më të mirë” dhe “Efektet më të mira vizuale”.

Këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Dua Lipa, sivjet garon për çmim “MTV VMA” me këngën, “Dance The Night”, e cila shërbeu si kolonë zanore e filmit “Barbie”. Nominimet e saj vijnë në kategoritë “Kënga më e mirë pop”, ku konkurron krahas artistëve, Demi Lovato, Ed Sheeran, Miley Cyrus, Olivia Rodrigo, Taylor Swift dhe Pink, si dhe “Koreografia më e mirë”.

Edhe Ed Sheeran është nominuar në gjithsej dy kategori e këngën emocionale, “Eyes Closed”, e frymëzuar nga vdekja e mikut të tij të afërt, Jamal Edwards. Ai garon në kategoritë “Kënga më e mirë pop” dhe “Kinematografia më e mirë”.

Kantautorët tjerë britanikë që janë pjesë e garës për çmimin “MTV VMA” janë, Adele me hitin “Drink Wine” dhe Harry Styles me “Music For A Sushi Restaurant”. Ata garojnë në kategoritë “Kinematografia më e mirë” dhe “Efektet më të mira vizuale”.

Ceremonia muzikore e këtij viti tashmë ka bërë histori me listën e konkurrentëve për çmimin “Artisti i Vitit” që për herë të parë në histori përbëhet vetëm nga femrat.

Taylor Swift udhëheq me më së shumti nominime, tetë sosh. Ylli i hitit “Cruel Summer” garon në kategorinë kryesore “Artistja e vitit”, krahas kolegeve, Beyonce, Doja Cat, KAROL G, Nicki Minaj dhe Shakira, kurse kënga e saj “Anti-Hero” është nominuar për çmimin “Videoklipi i vitit”, “Kënga e vitit”, “Kënga më e mirë pop”, “Regjia më e mirë”, “Kinematografia më e mirë”, “Montazhi më i mirë” dhe “Efektet më të mira vizuale”.

Pas Swiftit, e cila pritet të thyej rekord duke e rrëmbyer çmimin “Videoklipi më i mirë i vitit” për të katërtën herë, me më së shumti nominime renditet kantautorja e njohur amerikane, SZA, me gjashtë sosh.