Showbiz

Leona Lewis bëhet nënë për herë të parë

Këngëtarja, Leona Lewis, është bërë nënë për herë të parë. Ajo e solli në jetë një vajzë të pagëzuar, Carmel Allegra.

Ylli 37-vjeçar i muzikës e bëri të ditur lajmin e gëzuar përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram, me publikimin e një fotografie të foshnjës e cila erdhi në këtë botë më 22 korrik të këtij viti.

Ky është fëmija i parë i fitueses së talent shout “The X Factor” dhe bashkëshortit të saj, Dennis Jauch. Këngëtarja e hitit “I Got You” dhe valltari dhe koreografi 34-vjeçar, u martuan nga vitin 2019 në Tuscany të Italisë, pas dhjetë vjetësh lidhje. Ata e bënë të ditur lajmin se janë në pritje të fëmijës së parë, më mars të këtij viti përmes një postimi në Instagram.

Lewis ka qenë mjaft aktive gjatë shtatzënisë, dhe është parë shumë shpesh nëpër rrugët e Los Angelesit në shoqërinë e burrit të saj, i cili është bashkëthemelues dhe drejtor kreativ i kompanisë “No Ceilings Entertainment”.

Në të kaluarën, këngëtarja e famshme pati deklaruar se çifti dëshiron të ketë shumë fëmijë, dhe se asaj do t’i pëlqente të adoptojë, për shkak të eksperiencës personale të nënës së saj e cila ishte rritur në strehimore.