7 perditesime
21:51

Johny Depp fiton rastin dhe 15 milionë euro, Amber Heardit i miratohet vetëm një akuzë

Një juri, të mërkurën, vendosi në favor të Johnny Deppit në lidhje me padinë e tij për shpifje kundër ish-bashkëshortes Amber Heard, duke arsyetuar qëndrimin e tij se Heard sajoi pretendime se ishte abuzuar nga aktori para dhe gjatë martesës së tyre të shkurtër.

Pos fitimit të rastit, Deppit iu njoh e drejta për kompensim në vlerë 15 milionë dollarë. Në padi kishte kërkuar 50 milionë dollarë.

Ndërkohë, Amber Heardit iu miratua vetëm një nga akuzat e saj në padinë 100 milionë dollarë ndaj Deppit, duke fituar kështu vetëm 2 milionë dollarë dëmshpërblim.

Vendimi i së mërkurës mund ta ndihmojë yllin të rehabilitojë imazhin e tij - të paktën kjo është shpresa e tij - pas një gjyqi që u transmetua në TV e që u shndërrua në një spektakël të një martese të egër.

Gjatë gjithë procesit gjyqësor, fansat – kryesisht në anën e Deppitit, janë rreshtuar në mbështetje të aktorit, derisa e vazhdimisht e tallnin Heardin sa herë që shfaqej jashtë ndërtesës së gjykatës.

Deppi e paditi Heardin për shpifje në Gjykatën e Qarkut Fairfax të Virxhinas lidhur me një shkrim të saj në “The Washington Post”, më 2018, ku e përshkroi veten si "një figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje".

Avokatët e Deppit thanë se në këtë artikull ishte shpifur kundër aktorit edhe pse emri i tij nuk ishte përmendur.

Juria të mërkurën vendosi se deklaratat e Heardit ishin të gjitha të rreme lidhur me abuzimin e Deppit ndaj saj.

Juria ka vendosur po ashtu se pretendimet për shpifje të Heardit kundër Johnny Depp ishin të paprovuara, duke e hedhur kështu poshtë kundër-padinë e saj ku kërkoi 100 milionë dollarë nga ish-bashkëshorti.

Dëshmia gjatë gjyqit 6-javor paraqiti një sërë detajesh të çuditshme të martesës së tyre të shkurtër. Heard tha se Deppi e sulmoi fizikisht e seksualisht dhjetëra herë. Gjatë dëshmisë së tij, Deppi tha se ai kurrë nuk e goditi Heardin dhe se ajo sajoi akuzat për abuzim.

21:33

Heardi e humb rastin kundër Johnny Deppit

Juria ka vendosur që pretendimet për shpifje të Heard kundër Johnny Depp ishin të paprovuara, duke i hedhur poshtë shumicën prej tyre, dhe duke pranuar vetëm një akuzë për shpifje të Deppit ndaj saj.

Për këtë pikë të akuzës të aprovuar, gjykata e dëmshpërbleu atë me 2 milionë dollarë.

21:30

Depp-it i jepen 15 milionë dollarë dëmshpërblim

Juria i ka dhënë Depp-it 10 milionë dollarë si dëmshpërblim dhe 5 milionë dollarë për dëme ndëshkuese pasi ai e fitoi procesin gjyqësor për shpifje kundër ish-bashkëshortes së tij, Amber Heard.

21:23

Johnny Deppi fiton rastin kundër Amber Heardit për shpifje

Aktori Johnny Depp ka fituar rastin kundër ish-bashkëshortes Amber Heard, të cilën e paditi për shpifje. 

Juria ka gjetur se deklaratat e Heardit për martesën e saj ishin "të rreme" dhe përcillnin "një implikim shpifës" për njerëzit e tjerë përveç Deppit.

21:08

Nis seanca për shpalljen e verdiktit “Depp-Heard”, gjyqtarja kërkon përmbajtje

Gjyqtarja Penney Azcarate ka kërkuar përmbajtje dhe ka paralajmëruar kundër shpërthimeve, në seancën e së mërkurës ku pritet të shpallet verdikti për rastin “Depp-Heard”.

“Kjo është një gjykatë” dhe shpërthimet nuk do të tolerohen”, ka thënë Azcarate, ka bërë të ditur “People”.

Në sallën e gjyqit është e pranishme Amber Heard, ndërkaq Johnny Depp mungon ashtu siç u paralajmërua nga mediat amerikane.

20:24

Johnny Depp s’do të jetë i pranishëm kur të merret vendimi

Johnny Depp nuk do të jetë në sallën e gjyqit kur të shpallet vendimi në procesin e tij kundër ish-bashkëshortes Amber Heard, në Virxhinia, pasditen e së mërkurës, sipas kohës lokale.

Juria prej shtatë personash mori vendimin për gjyqin 6-javor, pasi filloi diskutimet të premten pasdite dhe i rifilloi të martën në mëngjes pas Ditës së Përkujtimit.

Gjykatësi Penney Azcarate ka vendosur që Deppi dhe Heardi nuk janë të detyruar të jenë personalisht kur verdikti lexohet.

Një burim i afërt me Deppin ka thënë për “People” se aktori, i cili fillimisht ngriti padinë kundër Heardit në mars të vitit 2019, nuk do të jetë personalisht aty.

“Për shkak të angazhimeve të planifikuara më parë, të bëra përpara gjyqit, Depp nuk do të jetë fizikisht i pranishëm për vendimin e sotëm”, ka thënë burimi.

Ndërkohë, Heard, 36 vjeç pritet të jetë e pranishme në gjykatë.

Pasi u paraqit në gjykatë për argumentet mbyllëse të premten, Depp 58 vjeç, bëri një paraqitje surprizë në një koncert të Jeff Beck në Angli, të dielën mbrëma në Sheffield City Hall. Të hënën dhe të martën në mbrëmje, ai përsëri performoi me kitarë në skenë me rockerin në shfaqjet e mbajtura në Royal Albert Hall të Londrës.

20:02

Merret vendimi për rastin “Depp-Heard”, bëhet publik për pak minuta

Juria ka marrë vendim në procesin gjyqësor për shpifje të Johnny Depp ndaj Amber Heard.

Juria prej shtatë anëtarësh mori vendimin të mërkurën në Fairfax, Virxhinia, në ditën e tretë të diskutimeve, pas rreth 13 orësh të peshimit të çështjes.

Vendimi pritet të lexohet në orën 15:00 sipas kohës lokale, që në Kosovë i bie në orën 21:00.

Ylli i "Pirates of the Caribbean", ka paditur ish-gruan e tij 36-vjeçare duke i kërkuar kompensim 50 milionë dollarë për një shkrim në “Washington Post” në vitin 2018, në të cilin ajo përshkroi veten si "një figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje".

Heard u përgjigj me kundërpadi, duke kërkuar kompensim prej 100 milionë dollarësh, duke argumentuar se karriera e saj u shkatërrua, pasi avokati i Deppit, Adam Waldman, tha publikisht se ajo kishte sajuar akuzat e saj për abuzim në familje.

17:07

Rasti “Depp-Heard” në pritje të verdiktit

Juria në rastin “Johnny Depp - Amber Heard” përfundoi ditën e dytë të diskutimeve të martën, pa marrë një vendim në lidhje me pretendimet për shpifje të aktorit Depp ndaj ish-bashkëshortes, Heard.

Juria civile e përbërë prej shtatë anëtarësh dëgjoi argumentet përfundimtare të premten dhe diskutoi për rreth dy orë, por pa dalë me një rezultat. Juristët më pas diskutuan shtatë orë të tjera të martën. Ata kanë planifikuar t’i rifillojnë diskutimet të mërkurën (sipas kohës në SHBA) në Gjykatën e Qarkut, Fairfax të Virgjinias.

Deppi ka paditur Heard-in duke i kërkuar 50 milionë dollarë dëmshpërblim, pasi e akuzon atë se ka shpifur ndaj tij me një shkrim të vitit 2018 të publikuar në “Washington Post”, në të cilin ajo e paraqiti veten si "një figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje".

Heard ngriti më pas kundërpadi ndaj yllit të "Pirates of the Caribbean", duke kërkuar 100 milionë dollarësh dëmshpërblim, pasi avokati i tij i quajti akuzat e saj një mashtrim. Secili akuzon tjetrin për shkatërrimin e karrierës së tyre.

Dëshmia gjatë gjyqit gjashtë-javor paraqiti një sërë detajesh të çuditshme të martesës së tyre të shkurtër. Heard dëshmoi se Deppi e sulmoi fizikisht e seksualisht dhjetëra herë. Gjatë dëshmisë së tij, Deppi dëshmoi se ai kurrë nuk e goditi Heardin dhe se ajo sajoi akuzat për abuzim.

Gjatë fjalëve përfundimtare, mbrojtjet e të dy palëve, i thanë jurisë se një vendim në favor të klientëve të tyre “do t'ua kthente jetën atyre”.