Ylli skocez i muzikës Emeli Sande, e ka paralajmëruar lansimin e albumit të saj të ri me titull “Let’s Say For Instance” më 6 maj.
Vitin e kaluar, këngëtarja 34-vjeçare u largua nga studioja incizuese gjigante “EMI” pas më shumë se një dekade, dhe tani është gati për ta lansuar albumin e ri që vjen pas atij të vitit 2019, “Real Life”, me ndihmën e kompanisë së re muzikore “Chrysalis Records”.
Në një deklaratë për revistën “Variety”, Sande tha: “Jam shumë krenare për këtë album dhe mezi pres që të lansohet. Jam ndier e lirë të shprehem në mënyrë më natyrale si nga ana muzikore ashtu edhe në tekstet e këngëve, dhe dëshira ime më e madhe është që kjo të jetë një eksperiencë frymëzuese për secilin dëgjues, dhe që përmes këtij incizimi të arrijnë të më njohin në një nivel më të thellë”.
Emeli pritet që në muajin maj ta fillojë turneun në Britani të Madhe dhe Evropë, i cili ka për qëllim ta promovojë albumin e saj të ardhshëm.
Ylli i hitit “Beneath Your Beautiful” do të performojë me komplet bendin e saj, por do t’i realizojë edhe disa koncerte të përzgjedhura ku do të jetë e shoqëruar vetëm në piano, e të cilat fillojnë me 16 maj në Glasgow për të vazhduar me qytete të tilla si, Leeds, Birmingham, Manchester, London dhe të tjerë.
Ndërsa në të kaluarën, Sande ka thënë se kishte dyshuar nëse do të duhej ta vazhdojë karrierën e saj muzikore, ngase vuante nga ankthi dhe depresioni i rëndë pas ndarjes nga bashkëshorti Adam Gouraguine në vitin 2013, më pak se një vit pasi ishin martuar.
Këngët më të dëgjuara të këngëtares skoceze me famë botërore mbesin: “Read All About It”, “My Kind Of love”, “Daddy”, “Nex To Me”, “Hurts”, “Clown”, “Beneath Your Beautiful”, “Wonder” dhe të tjerë.