Ylli i njohur i muzikës, Dua Lipa, e ka konfirmuar lajmin se është duke punuar me shumë përkushtim në albumin e saj të ardhshëm, duke i paralajmëruar fansat se do të ngelin të befasuar kur t’i dëgjojnë këngët e reja të pop këngëtares.
“Kam shkruar shumë tekste këngësh”, ka treguar Lipa në fillim të javës për gazetën, “The Wall Street Journal.
Edhe pse la të nënkuptohet se albumi, që do të jetë i treti me radhë për këngëtaren, është ende në hapat e parë të realizimit dhe nuk po ngutet në finalizimin e tij, Dua tregoi se projekti tashmë ka filluar të marrë formë dhe shumica e këngëve janë incizuar.
“Albumi e ka një vizion të caktuar. Thjeshtë ka qenë argëtuese të eksperimentoja me këtë incizim. Unë gjithmonë do të bëjë muzikë pop, por këngët e reja e kanë një tingull më unik, gjë që është tejet emocionuese për mua dhe duket se është diçka krejt ndryshe nga albumi i kaluar”, ka deklaruar tutje këngëtarja.
Lipa bëri shaka duke thënë se, pavarësisht faktit që ndryshimi i stileve të muzikës ndërmjet lansimit të secilit album është i rëndësishëm, muzika e saj e ardhshme ka gjasa t’i largojë fansat e ri të cilët i ka fituar me projektin “Future Nostalgia”.
“Të jem e sinqertë, ky incizim me siguri nuk është ajo çfarë adhuruesit e mi duan të dëgjojnë”, përfundoi Lipa.
Viti 2022 do të jetë mjaft i ngarkuar me punë për këngëtaren me prejardhje kosovare, kjo pasi Dua po bëhet gati ta fillojë turneun botëror i cili ka për qëllim ta promovojë albumin e saj të dytë dhe mjaft të suksesshëm. Ajo do të mbajë koncerte në qytete të ndryshme të Amerikës, Britanisë së Madhe, Australisë dhe Zelandës së Re, si dhe do të performojë në festivale muzikore të tilla si: “Sziget”, “Roskilde” dhe “Primavera Sound”.
Prej lansimit të albumit “Future Nostalgia” në mars të vitit 2020, përfshirë këtu edhe versionin e zgjeruar dhe remixin e këtij incizimi, Dua Lipa ka bashkëpunuar me yje të njohur të muzikës si, Kylie Minogue, Elton John dhe reperi i ndjerë Pop Smoke. Ajo po ashtu e ka lansuar këngën e re me titull “Can They Hear Us?” e cila ishte kolonë zanore e filmit “Gully”, si dhe e ka lansuar buletinit javor të titulluar “Service95”, i cili do t’iu ofrojë fansave një listë të kuruar rekomandimesh, tregimesh dhe informacionesh të tjera nga bota e këngëtares.
Lipa pritet ta shënojë debutimin si aktore në filmin e ardhshëm me spiunë, “Argylle”, ku luan krahas yjeve, Bryan Cranston, Samuel L. Jackson, Henry Cavill, Sam Rockwell, Bryce Dallas Howard, Catherine O’Hara dhe John Cena. Ajo po ashtu do ta realizojë kolonën zanore të këtij projekti.
Përktheu: Edona Binaku