Studioja e njohur për realizimin e filmave të animuar, “Pixar”, e ka publikuar trailerin e parë të projektit të ardhshëm me titull, “Turning Red”.
Ky është filmi i parë i metrazhit të gjatë i “Pixarit” që vjen i realizuar nga një regjisore aziatike. Ajo është Domee Shi e cila më së miri njihet për filmin e metrazhit të shkurtër të shpërblyer me Oscar, “Bao”, dhe kontributin në filma të tjerë të studios së famshme “Pixar” të tillë si, “Inside Out”.
“Turning Red” e rrëfen historinë e Mei, një vajzë kinezo-kanadeze 13-vjeçare e cila e ka një karakter të veçantë dhe me vetëbesim të lartë. Mei e zbulon një gjë të cilën nëna e saj, Ming, ia kishte mbajtur të fshehtë dhe jeta e saj ndryshon përgjithmonë. Paraardhësit e familjes së saj e kanë një lidhje magjike me pandat e kuqe, çka do të thotë se Mei transformohet në një panda të madhe sa herë që përjeton emocione të forta. Si tinejxhere, ajo do të përballet me sfida e vështirësi të mëdha për t’i kontrolluar emocionet e saj, dhe për t’u mësuar ta pranojë veten ashtu si është.
Filmi përmban edhe muzikë përfshirë këtu disa këngë të krijuara nga ylli i muzikës, Billie Eilish dhe vëllai i saj, Finneas.
“Turning Red” lansohet nëpër kinema më 11 mars të vitit të ardhshëm.