Regjisorët e filmit “Kpop Demon Hunters” po shijojnë suksesin e jashtëzakonshëm të filmit të animuar që ka pushtuar botën, ndërsa flasin për mundësinë e një vazhdimi dhe për shanset në “Oscars”.
Maggie Kang, krijuesja dhe bashkëregjisorja e filmit, ka thënë për BBC se është “e emocionuar për mundësinë e më shumë historive” që lidhen me grupin e animuar të vajzave Huntr/x.
“Edhe pse s’ka asgjë zyrtare për të treguar, unë dhe Chris Appelhans besojmë se ka shumë më tepër për të bërë me këta personazhe në këtë botë. Dhe çfarëdo që të jetë, duhet të jetë një histori që e meriton të jetë vazhdim dhe që ne vetë duam ta shohim”, ka thënë ajo.
Filmi është bërë fenomen kulturor, duke kaluar edhe serialin “Squid Game” si përmbajtja më e shikuar në historinë e Netflix, me mbi 325 milionë shikime.
“Kpop Demon Hunters”, tregon historinë e një trupi vajzash K-pop jashtëzakonisht të suksesshme, të cilat përveç koncerteve madhështore, përpiqen të shpëtojnë botën nga forcat e së keqes. Gjatë ngjarjeve, ato përballen me një grup djemsh të quajtur Saja Boys, që janë në fakt demonë.
Filmi ka thyer rekorde të shumta, versioni “sing-along” i publikuar në gusht u bë filmi i parë i Netflixit që ka zënë vendin e parë në arkat filmike amerikane, ndërsa muzika e tij kryesoi listat e këngëve dhe albumeve në SHBA.
Kënga hit “Golden”, kënduar nga Huntr/x, ka qëndruar për tetë javë në vendin e parë, duke barazuar rekordin historik të “Sugar Sugar” nga The Archies, suksesi më i madh ndonjëherë i një animacioni.
Shanset për “Oscars”
Kritikët janë të mahnitur nga filmi, ai ka një vlerësim prej 95 për qind në Rotten Tomatoes.
Platforma e parashikimeve Gold Derby e ka renditur si favoritin kryesor për “Filmin më të Mirë të Animuar”, përpara filmave “Zootopia 2” dhe “Elio”.
“Vetë titulli është ‘Oscar bait’”, ka thënë me të qeshur bashkëregjisori amerikan Chris Appelhans. “U përpoqëm të bënim diçka ndryshe, dhe ishte shumë e vështirë. Por jemi krenarë për rezultatin. Nëse njerëzit duan ta shpërblejnë, do të ishte fantastike”, ka thënë ai.
Filmi pritet të garojë edhe për “Këngën më të Mirë Origjinale”, dhe Netflix tashmë ka konfirmuar se do të paraqesë hitin “Golden” për Akademinë e Filmit. Por për dy vendet e tjera, regjisorët kanë dilema.
“’Your Idol’ është një ‘banger’ i vërtetë”, ka thënë Kang për këngën e grupit Saja Boys, që luhet gjatë një skene ku grupi i demonëve ushqen me shpirtrat e fansave të tyre. Appelhans, nga ana tjetër, preferon këngën e Huntr/x “What It Sounds Like”.
“Finalja ishte një sfidë e madhe teknike, duhej të krijonim një këngë që ishte kulmi i filmit, por edhe emocionalisht çliruese. Është ajo kënga që sa herë e dëgjoj, qaj. Është shumë emocionale”, ka thënë ai.
Një verë e suksesshme
Appelhans ka kujtuar momentin kur e ka kuptuar se filmi ishte bërë hit.
“Ishte ora 2 e mëngjesit pas publikimit të filmit. Po lexoja komentet në TikTok dhe njerëzit po e përshkruanin në mënyrë të përkryer udhëtimin emocional të Rumit, personazhit kryesor. Ishte e pabesueshme”, ka thënë ai.
Kang, e lindur në Korenë e Jugut dhe e rritur në Kanada, kujton se piku ndodhi në javën e tretë, kur grafiku i shikueshmërisë mori kthesë të çuditshme.
Sipas saj, “fansat ishin thelbësorë për suksesin, sepse ata duan të krijojnë përmbajtje dhe e përhapën filmin kudo. Ishte si reklamë falas”.
Katër muaj pas publikimit, filmi mbetet më i shikuari në 19 vende, përfshirë SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Këngëtaret Rei Ami, Audrey Nuna dhe EJAY ,që japin zërin për Huntr/x, kanë performuar në emisionin e mirënjohur “Saturday Night Live” bashkë me këngëtarin latinoameirkan, Bad Bunny si dhe në emisonin “The Tonight Show” me Jimmy Fallon
“Na erdhi keq që s’mundëm të ishim aty. Ishim në gjumë në Paris, por ta shohësh Fallonin duke folur me vajzat tona ishte një ndjenjë e çuditshme. Tani gjithçka duket më reale se kurrë”, ka thënë Kang.
Jo anime, as live-action
Dy regjisorët sqaruan gjithashtu se filmi nuk duhet të quhet anime.
“Nuk jemi aq fansa të mëdhenj të animeve që të kemi marrë frymëzim të drejtpërdrejtë,” tha Kang. “Na pëlqejnë ato të vjetrat, si Cowboy Bebop dhe Sailor Moon.”
“U frymëzuam më shumë nga filmat dhe dramat koreane, por jo aq sa të themi se është anime”, ka shtuar Appelhans.
Ata hodhën poshtë edhe idenë e rikrijimit të filmit me aktorë realë.
“Ka shumë elemente që funksionojnë vetëm në animacion. T’i shohësh këta personazhe në botën reale do ta humbiste magjinë e tyre”, ka thënë Kang.
Appelhans ka shtuar se në animacion mund të shtyhen kufijtë e imagjinatës.
“Rumi mund të jetë njëkohësisht qesharake, këngëtare dhe hero me superfuqi. Kjo është bukuria e animacionit”, ka thënë ai.
Në fund, Kang ka thënë se pavarësisht se çfarë do të ndodhë gjatë sezonit të çmimeve, ata tashmë ndihen fitues.
“Qëllimi ynë ishte të lidhim njerëzit dhe t’i afronim me botën e K-pop-it. Vetë fakti që njerëzit janë bashkuar përmes këtij filmi është i mrekullueshëm. Çmimet do të ishin të shkëlqyera, por për ne, suksesi tashmë është arritur”, ka thënë ajo.