Këngëtarja e njohur britanike, Jessie J, i ka dhënë fund romancës me valltarin, Max Pham Nguyen.
33-vjeçarja e ka bërë të ditur lajmin e ndarjes nga i dashuri prej pothuajse një viti, por ka treguar se ata mbesin miq të mirë me njëri-tjetrin.
Gjatë një bashkëbisedimi në fansat në Instagram, Jessie u pyet nëse është në lidhje apo beqare, dhe ajo u përgjigj: “Jam e hapur për lidhje të reja, e lumtur dhe e dashuruar me veten. Max dhe unë ka kohë që jemi vetëm miq të mirë”.
Tutje ylli i hitit “Price Tag” shtoi se asgjë dramatike nuk kishte ndodhur mes tyre, dhe u kërkoi fansave që të mos reagojnë keq ndaj këtij lajmi.
“Ai është një burrë i jashtëzakonshëm. Që të dy kemi shumë respekt dhe dashuri për njëri-tjetrin. Thjeshtë, nga ana romantike nuk përputheshim prandaj vendosëm të vazhdojmë të jemi vetëm miq të mirë. Të dy jemi të lumtur dhe vazhdojmë t’i jetojmë jetët tona”.
Tutje, këngëtarja shpjegoi se arsyeja e vetme që ka pranuar të flas hapur rreth kësaj çështje, është ngase nuk i pëlqen kur njerëzit i ekzagjerojnë ndarjet që janë diçka shumë personale për të.
Në anën tjetër, ish i dashuri i Jessie J, aktori i famshëm hollywoodian, Channing Tatum, duket se po e shijon në maksimum lidhjen e re të dashurisë me Zoë Kravitzin.
Pas disa muajve të qarkullimit të thashethemeve rreth romancës mes çiftit, aktorët më në fund janë fotografuar dorë për dore duke shëtitur nëpër rrugët e New Yorkut.
41-vjeçari Tatum dhe 32-vjeçarja Kravitz, dukeshin mjaft të lumtur dhe të dashuruar me njëri-tjetrin, derisa nuk ngurruan as të shkëmbejnë puthje para fotografëve, duke e zyrtarizuar kështu lidhjen për mbarë publikun.
Tatum luan në filmin e ardhshëm me të cilin Kravitz e shënon debutimin regjisorial, “Pussy Island”.
Spekulimet rreth romancës mes tyre kishin filluar në janar të këtij viti, kur Zoë e cila është vajza e këngëtarit të famshëm, Lenny Kravitz, bëri kërkesë për shkurorëzim nga bashkëshorti Karl Glusman.
Nga atëherë, ata ishin fotografuar disa herë në shoqërinë e njëri-tjetrit, por pa e konfirmuar asnjëherë se janë çift.
Tatum dhe Kravitz po ashtu e ndoqën ceremoninë e muajit të kaluar, “Met Gala”, ku parakaluan mbi qilim të kuq ndaras por u larguan nga kjo ngjarje së bashku.
Zoë Kravitz u nda nga Karl Glusman pas më pak se dy vjetësh martesë. Kurse, Tatum për dhjetë vjet ka qenë i martuar me aktoren dhe valltaren, Jenna Dewan, me të cilën e ka një vajzë të quajtur, Everly.
{gallery}