Showbiz

Jessie J mori leje nga Channing Tatum për ta përmendur në këngën e re

Jessie J dhe Channing Tatum

Jessie J dhe Channing Tatum

Foto: Associated Press

Jessie J ka zbuluar se aktori Channing Tatum e ka dëgjuar dhe aprovuar këngën e saj të re, ku ajo e përmend filmin e tij “Magic Mike”.

Këngëtarja e hitit “Price Tag”, e cila ka pasur një lidhje me aktorin mes viteve 2018 dhe 2020, e përmend filmin e famshëm të Tatum në këngën “Don’t Tease Me With A Good Time”, pjesë e albumit të saj të ri. Ajo ka treguar se Tatum e ka dëgjuar këngën para publikimit, dhe ka qenë dakord.

“Ia lëshova këngën ta dëgjonte që ta merrja aprovimin e tij, dhe ai e aprovoi”, ka thënë Jessie për The Guardian.

Këngëtarja 37-vjeçare, nënë e një djali dyvjeçar me partnerin Chanan Safir Colman, e përshkruan Tatumin si një njeri jashtëzakonisht të mirë.

“Ai është shumë i ëmbël. Channing është shumë djalë i ëmbël”, ka thënë këngëtarja.

Ajo ka shtuar se ata ishin shokë shumë të mirë dhe kaluan shumë mirë bashkë dhe se kishin një lidhje të shëndetshme.

Ndonëse ajo e përmend Tatumin në këngën “Complicated”, ajo ka mohuar zërat se kënga tjetër, “Threw It Away”, është një “diss” ndaj aktorit 45-vjeçar.

Thashethemet nisën pas vargjeve të nxehta: “Mos guxo ta rishkruash historinë. Unë jam bukuroshja e ti je bisha”.

Përmes Instagram Stories, ajo ka sqaruar se kënga nuk është për aktorin.

“’Threw it away’ NUK është për Channing Tatumin, ASNJËHERË nuk kam thënë se ka qenë”, pati shkruar ajo.

Jessie ka theksuar se nuk do të dëshironte që vajza e Tatumit të lexonte apo dëgjonte diçka të rreme.

“Kurrë nuk do të doja që e bija e tij e bukur të lexonte diçka të tillë apo t'i thuhet se unë kam thënë diçka të keqe për babin e saj. Nuk është e drejtë”, ka thënë artistja.

Sipas saj, marrëdhënia me aktorin ka përfunduar në mënyrën më të mirë.

“Unë dhe Channing e kemi përfunduar lidhjen tonë në mënyrë shumë të mirë dhe kam shumë respekt për të, ai nuk ka qenë asnjëherë një ‘bishë’ për mua”, ka thënë ajo.