Aktori i njohur hollywoodian, Jake Gyllenhaal, e adhuronte aq shumë Jennifer Anistonin, sa kishte qenë torturë për të ta realizonte një skenë dashurie me yllin e kinematografisë.
Dyshja ka luajtur së bashku në filmin e vitit 2002, “The Good Girl”, dhe në një intervistë të fundit, aktori 40-vjeçar tha se nuk kishte qenë një rol i lehtë për të, për shkak se ishte adhurues i çmendur i yllit 52-vjeçar të serialit “Friends”.
Gjatë intervistës për emisionin “The Howard Stern Show”, aktori tha: “Po, ishte një torturë të realizojë skenë dashurie me të, por në të njëjtën kohë një kënaqësi e vërtetë. Pra ishte një përzierje emocionesh për mua, sepse unë isha adhurues i Anistonit për vjet të tëra”.
Për herë të parë në këtë intervistë, aktori gjithashtu foli për të dashurën e tij prej vitesh, Jeanne Cadieu. Deri më sot ai e ka mbajtur këtë lidhje jashtëzakonisht private. Por, i pyetur për partneren e tij, Gyllenhaal foli fjalë të ëmbla duke lënë të nënkuptohet se lidhja tashmë është bërë serioze.
“Kjo është gjithçka që dua në jetë, të jem një bashkëshort dhe baba i mirë. Tani që i kam arritur shumë qëllime të jetës dhe karrierës, ndihem rehat dhe i sigurt ta them një gjë të tillë. Unë e dua Jeannen shumë dhe ajo është një person i mrekullueshëm”.
Roli i fundit filmi i Jake Gyllenhaalit është ai në filmin e zhanrit krim dhe triller, “The Guilty”. Ngjarja e filmit zhvillohet gjatë një mëngjesi të vetëm në një qendër të thirrjeve emergjente. Operatori i telefonatave, Joe Baylor, i portretizuar në film nga Gyllenhaal, përpiqet ta shpëtojë një telefonues në rrezik të madh por ai shpejt zbulon se asgjë nuk është ashtu siç duket, dhe përballja me të vërtetën është e vetmja rrugëdalje.
Në këtë projekt luajnë edhe aktorët tjerë të famshëm të hollywoodit: Ethan Hawke, Peter Sarsgaard, Riley Keough, Paul Dano dhe Byron Bowers.
“The Guilty” nga 1 tetori ka filluar së shfaquri në platformën Netflix.