Showbiz

Cardi B e lumtur me suksesin e projektit të ri “Up” në toplistën “Billboard”

Foto: AP/Associated Press

Cardi B duhet të fillojë të mësohet me pozicionimin në majat e toplistave muzikore.

Rep artistja nga New Yorku ka arritur ta shënojë suksesin e radhës në muzikë, pasi kënga e saj e re me titull “Up” debutoi në pozitën e dytë të toplistës së 100 këngëve më të mira “Billboard”.

Kjo është hera e nëntë që Cardi B përfshihet në topdhjetëshe të kësaj topliste, në karrierën e saj.

Është vetëm këngëtarja e re e skenës, Olivia Rodrigo, me këngën e saj debutuese “Drivers License” që e pengon reperen të pozicionohet në vendin e parë në “Billboard Hot 100”.

Emocionet e këtij suksesi, Cardi nuk arriti t’i mbajë për vete.

“Sapo kam ateruar nga pushimet me familje dhe telefoni më është pushtuar nga mesazhet e shumta. Dua t’i falënderojë gjithë adhuruesit e mi dhe ata që më kanë mbështetur. Ky është një sukses i madh për mua. Ka kohë që doja ta mundja suksesin e këngës sime të fundit solo dhe i kam tejkaluar pritjet e mia. Hera e parë që një repere debuton në top-pesëshe të kësaj topliste, prej kur Lauren Hill e kishte gëzuar një sukses të këtillë. Lista është e mbushur me muzikë pop, por unë nuk i takoj këtij zhanri”, ka deklaruar Cardi në postimin e saj në rrjetet sociale.

 

 

Natyrisht, kënga e fundit e reperes që e kryesoi toplistën e 100 këngëve më të mira në muajin gusht, është hiti “WAP” të cilin e solli në bashkëpunim me rep artisten tjetër tejet të suksesshme, Megan Thee Stallion.

“Up” u lansua më 5 shkurt dhe menjëherë arriti t’i dominojë toplistat muzikore të platformave të ndryshme.

Në dhjetor të vitit të kaluar, “Billboard” e emëroi rep artisten “Gruaja e vitit”, dhe në pesë vjetët e fundit Cardi ka qenë pjesë e kësaj topliste muzikore me pothuajse çdo këngë që e ka lansuar, përfshirë këtu edhe projektin e vitit 2017 që ia solli famën anembanë botës, “Bodak Yellow”.

“Up” pritet të jetë pjesë e albumit të ardhshëm dhe ende të patitulluar të yllit të muzikës rep.