Mbështetja e BE-së nuk është abstrakte — ajo shihet në rrugët e qyteteve të Ballkanit Perëndimor, në bizneset që zhvillohen, në mundësitë që u hapen të rinjve.
Ngjarja dyditore “Creative HUB”, e organizuar nga WeBalkans në Beograd në fund të prillit, u bë një pikë takimi për gazetarë, komunikues, sipërmarrës dhe përfaqësues të BE-së nga i gjithë rajoni. E përkushtuar ndaj zhvillimit ekonomik, HUB-i është pjesë e fushatës BE me TY dhe mblodhi pjesëmarrës nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia rreth një pyetjeje të vetme: si ta bëjmë mbështetjen e BE-së të dukshme, konkrete dhe në dobi të qytetarëve?
“Mbështetja e BE-së nuk është abstrakte — ajo shihet në rrugët e qyteteve tona, në bizneset që drejtojnë fqinjët tanë dhe në mundësitë që realizojnë të rinjtë tanë”, tha Plamena Halacheva, zëvendësshefe e Delegacionit të BE-së në Serbi, duke hapur sesionin plenar. Kjo qasje përcaktoi tonin e gjithë ngjarjes: kalimin nga gjuha e politikave në përvojën reale të jetës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
Marie Brancaleone nga Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore rikujtoi pjesëmarrësit se procesi i anëtarësimit në BE, në thelb, është një proces transformimi që ndikon në jetën e përditshme — nga ajri që thithin njerëzit deri te tregjet ku vendosin produktet e tyre. Raluca Costache, drejtuese e programit WeBalkans, dhe Selena Tasić, menaxhere për diplomaci publike, më pas prezantuan fushatën BE me TY si një lidhje midis reformave rajonale dhe qytetarëve, jetët e të cilëve këto reforma synojnë të përmirësojnë.
Nga laboratorët kërkimorë në tregjet globale
“Lightning talk”-u i mëngjesit u prezantua nga Oskar Marko, drejtor i Qendrës për Teknologji Informative në Institutin Biosense nga Serbia. Mesazhi i tij ishte i qartë: mundësitë që ofron BE japin rezultate kur institucionet dinë si t’i shfrytëzojnë. Biosense ka zhvilluar praktikën e përdorimit të granteve Horizon Europe për inovacione në bujqësi të rëndësishme për fermerët në të gjithë rajonin — dëshmi se rruga nga financimi i BE-së te efekti real është më e shkurtër se sa mendohet shpesh.

Tre biseda, një mesazh
Panelet tematike që pasuan paraqitën panoramën ekonomike të Ballkanit Perëndimor nga tri perspektiva të ndryshme. Në sesionin e mbështetur nga Western Balkans Investment Framework (WBIF), të moderuar nga Filip Lukić nga N1, gjashtë folës shpjeguan se si ky mekanizëm ka mobilizuar afro 9 miliardë euro dhe ka mbështetur mbi 600,000 biznese në të gjithë rajonin. Benedykt Klimowski nga Komisioni Evropian e përmblodhi thjesht: “Kur banka juaj lokale ju ofron një marrëveshje më të mirë, pas saj qëndron mbështetja e BE-së.”
Edina Hadžić, themeluese e markës boshnjake të modës së qëndrueshme “Sugar on Top”, theksoi përparësinë e një tregu më të vogël: “Duhet të jesh i sinqertë për vendin ku je. Gjithçka ka të bëjë me transparencë të vërtetë.” Nga ana tjetër, Tina Mihajlović, bashkëthemeluese e startup-it serb të inteligjencës artificiale në energjinë diellore Solarise Technologies, foli për hendekun mes njohurive teknike dhe gatishmërisë për treg, si dhe për rolin e mentorimit në kapërcimin e tij.

Paneli i mbështetur nga EBRD u moderua nga Aleksandra Vukosavljević, drejtoreshë për Institucione Financiare për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore. Diskutimi u përqendrua në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të gjelbra dhe konkurruese. Përfundimi ishte i qartë: qëndrueshmëria nuk është më zgjedhje, por domosdoshmëri e diktuar nga kërkesat e tregut, rritja e kostove të energjisë dhe qasja në financim. Standardet ESG sot janë faktor kyç në vendimmarrjen e bankave dhe investitorëve. Duke qenë se NVM-të përbëjnë 98–99% të kompanive në rajon, përafrimi i tyre me standardet e BE-së, ndërkohë që konkurrojnë në tregje më të mëdha, është në qendër të zhvillimit ekonomik.
Paneli i tretë, me pjesëmarrjen e Delegacioneve të BE-së nga rajoni dhe i moderuar nga Marie Brancaleone, trajtoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor si një kornizë për transformimin ekonomik. Përfaqësues nga të gjashtë ekonomitë diskutuan se si do të duket faza e ardhshme e integrimit në praktikë.

Mesazhet që dërguam
Dita e parë u përmbyll me një diskutim që theksoi qartë qëllimin e ngjarjes. Gazetaret Greta Topjana nga Shqipëria dhe Višnja Višnjić Milić nga Serbia, së bashku me ekipin e WeBalkans, dhanë një përmbledhje dhe folën për mënyrën si udhëtojnë historitë për BE-në dhe ku humbasin ato. Mesazhi kryesor ishte se programet dhe instrumentet financiare ekzistojnë, por nuk shfrytëzohen mjaftueshëm për shkak të komunikimit të fragmentuar dhe mungesës së dukshmërisë. Pikërisht mbyllja e këtij hendeku ishte qëllimi i Creative Hub-it.
Dita e dytë: nga politikbërja te komunikimi
Dita e dytë iu kushtua prodhimit të përmbajtjes. Fushata BE me TY u prezantua nga Samra Lučkin, pas së cilës anëtarët e tjerë të ekipit WeBalkans — Arian Rexhepi, Vullnet Gacaferri dhe Stanislava Marojević — punuan me pjesëmarrësit në grupe për ta shndërruar diskutimin në përmbajtje konkrete: postime për rrjete sociale, fotografi, deklarata të shkurtra dhe intervista me pjesëmarrësit. U hartuan gjithashtu plane për video dhe histori gazetareske që do të publikohen në javët në vijim.

Paralelisht, rrjeti WeBalkans u mundësoi pjesëmarrësve të prezantojnë punën e tyre dhe të gjejnë partnerë për bashkëpunim rajonal.
Rezultatet e kësaj pune do të vazhdojnë të jetojnë përtej vetë ngjarjes — në platformat e WeBalkans, kanalet e partnerëve dhe rrjetet sociale, ku një gjeneratë e re e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor e takon BE-në si partner në jetën e përditshme.

BE me TY
The Belgrade Creative Hub është ngjarja e parë në një seri aktivitetesh që WeBalkans, në kuadër të fushatës BE me TY, po planifikon në të gjithë rajonin. BE me TY është një fushatë rajonale e diplomacisë publike që ndërlidh mbështetjen e BE-së në Ballkanin Perëndimor me njerëzit, bizneset dhe komunitetet që do përjetojnë këtë transformim. Më shumë histori dhe aktivitete nga kjo fushatë do të publikohen në kanalet digjitale të komunikimit të WeBalkans në javët në vijim.
