Ka vdekur ish-udhëheqësja e serbëve të Bosnjës, Biljana Plavshiq, e cila ishte shpallur fajtore për krime kundër njerëzimit në Bosnjë-Hercegovinë nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë.
Fillimisht ajo ishte akuzuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për rolin e saj të dyshuar në fushatën gjatë luftës për krijimin e një entiteti të veçantë serb në Bosnje.
AP raporton se ajo ishte dorëzuar vullnetarisht për t’u përballur me drejtësinë në vitin 2001 dhe më vonë, pas një marrëveshjeje për pranim të fajësisë u deklarua fajtore për përndjekje, që hynë në kuadër të veprave të krimeve kundër njerëzimit, ndërkaq akuzat e tjera u tërhoqën.
“Zonja Plavshiq shpërfilli raportet për spastrimin e gjerë etnik dhe e arsyetoi dhe justifikoi publikisht atë”, tha Tribunali. “Ajo ishte në dijeni se udhëheqësit kryesorë të Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës i shpërfillën këto krime, pavarësisht se kishin fuqinë për t’i parandaluar dhe ndëshkuar ato”.
Ajo u dënua me 11 vjet burgim dhe u lirua në vitin 2009, pasi kishte vuajtur dy të tretat e dënimit.
Edhe
Vdiq Flora Brovina, mjekja e humanistja që u bë simbol i qëndresës
Tutje ishte thënë se pranimi i fajësisë nga Plavshiq dhe njohja e përgjegjësisë “duhej të nxisnin pajtimin në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në të gjithë rajonin”.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, tha gjatë seancës së dënimit se Plavshiq e kishte mbështetur në mënyrë aktive marrëveshjen e paqes së Dejtonit.
Ajo “ngriti zërin në mbështetje të saj në momente kur ishte shumë e vështirë, kur kishte njerëz që donin t’i shkatërronin Marrëveshjet e Dejtonit”, kishte thënë Albright.
Vdekja e Plavshiqit vjen vetëm disa javë pas vdekjes në paraburgim të ish-komandantit ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i cili ishte dënuar për gjenocid dhe krime të tjera gjatë luftës në Bosnje.
Edhe
Vdiq Flora Brovina
Para se të hynte në politikë, në kohën kur ish-Jugosllavia po shpërbëhej, Plavshiq ishte profesoreshë e shkencave natyrore dhe dekane e fakultetit në Universitetin e Sarajevës.
Pas lirimit nga burgu, Plavshiq u tërhoq nga jeta publike dhe jetoi në Beograd.