Soutenez TIME. Préservez la vérité.
région

L'ancienne dirigeante des Serbes de Bosnie Biljana Plašvić est décédée

Biljana Plasvic

Ish-udhëheqësja e serbëve të Bosnjës, Biljana Plavshiq, e cila ishte deklaruar fajtore në një gjykatë të Kombeve të Bashkuara për përndjekje si krim kundër njerëzimit, për rolin e saj në mizoritë gjatë luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995, ka vdekur në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, kanë njoftuar të enjten mediat e serbëve të Bosnjës, raporton AP.  Ajo ishte 96 vjeç.

Plavshiq ishte një nga zyrtaret kryesore të larta të serbëve të Bosnjës që zbatuan marrëveshjen e paqes të nënshkruar në Dejton të Ohajos, në kohën kur ajo shërbente si presidente e entitetit politik të serbëve të Bosnjës, Republika Srpska, menjëherë pas përfundimit të luftës.

Gjatë luftës, ajo ishte pjesë e këshillit të udhëheqjes së serbëve të Bosnjës. E konsideruar nga zyrtarët perëndimorë si shumë më liberale se udhëheqësit e tjerë serbë të Bosnjës, ajo u bë një kundërshtare e zëshme e presidentit të atëhershëm të serbëve të Bosnjës gjatë luftës, Radovan Karaxhiq.

Megjithatë, në vitin 2000 ajo u akuzua nga gjykata e OKB-së me seli në Hagë për ish-Jugosllavinë për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për rolin e saj të dyshuar në fushatën gjatë luftës për krijimin e një entiteti të veçantë serb në Bosnje.

Ajo u dorëzua vullnetarisht për t’u përballur me drejtësinë në vitin 2001 dhe më vonë u deklarua fajtore për krimin kundër njerëzimit të përndjekjes gjatë luftës. Akuzat e tjera u tërhoqën.

“Zonja Plavshiq shpërfilli raportet për spastrimin e gjerë etnik dhe e arsyetoi dhe justifikoi publikisht atë”, tha gjykata e OKB-së pas dënimit të saj. “Ajo ishte në dijeni se udhëheqësit kryesorë të Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës i shpërfillën këto krime, pavarësisht se kishin fuqinë për t’i parandaluar dhe ndëshkuar ato”.

Ajo u dënua me 11 vjet burgim dhe u lirua në vitin 2009, pasi kishte vuajtur dy të tretat e dënimit.
Gjykata e OKB-së ka thënë se pranimi i fajësisë nga Plavshiq dhe njohja e përgjegjësisë “duhej të nxisnin pajtimin në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në të gjithë rajonin”.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, tha gjatë seancës së dënimit se Plavshiq e kishte mbështetur në mënyrë aktive marrëveshjen e paqes së Dejtonit. 

Ajo “ngriti zërin në mbështetje të saj në momente kur ishte shumë e vështirë, kur kishte njerëz që donin t’i shkatërronin Marrëveshjet e Dejtonit”, tha Albright, sipas një deklarate të gjykatës.

Vdekja e Plavshiqit vjen vetëm disa javë pas vdekjes në paraburgim të ish-komandantit ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i cili ishte dënuar për gjenocid dhe krime të tjera gjatë luftës në Bosnje.

Para se të hynte në politikë, në kohën kur ish-Jugosllavia po shpërbëhej, Plavshiq ishte profesoreshë e shkencave natyrore dhe dekane e fakultetit në Universitetin e Sarajevës.

Pas lirimit nga burgu, Plavshiq u tërhoq nga jeta publike dhe jetoi në Beograd.