Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

Mijëra njerëz në Serbi i bëjnë homazhe Mlladiqit, pavarësisht paralajmërimeve të BE-së

Mlladiq

Foto: Associated Press

Mijëra njerëz kanë marrë pjesë të hënën në homazhet për Ratko Mlladiqin, komandantin e serbëve të Bosnjës, i cili vdiq në fund të gushtit, ndërsa po vuante dënim të përjetshëm për krime lufte. 

Trupi i tij ishte vendosur në kishë për homazhe publike.

Kjo ndodhi ndërsa Serbia sfidoi paralajmërimet e Bashkimit Evropian për të mos zhvilluar homazhe zyrtare për personin që u shpall fajtor për rastin e parë të gjenocidit në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Një zëdhënës i shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka dhënë reagimin e BE-së lidhur me ceremoninë e varrimit të mbajtur të hënën në Beograd, duke theksuar se "çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohim i gjenocidit dhe revizionizëm, bien ndesh me vlerat më themelore evropiane dhe nuk kanë vend në BE apo në vendet kandidate për anëtarësim në BE".

"Konfliktet e armatosura në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve '90 ishin ndër momentet më të errëta të historisë së fundit të Evropës. Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjitha viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre që kanë vuajtur pasojat e krimeve të luftës në vendet e ish-Jugosllavisë. Ratko Mlladiq ishte një kriminel lufte i dënuar, i cili kishte kryer krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit”, ka deklaruar zëdhënësi. 

Njerëzit nisën të mbërrinin herët në kishën e vogël ortodokse serbe të Shën Lukës në Beograd për të nderuar Mlladiqin, i cili ende konsiderohet hero nga shumë serbë, raporton AP.

Kapelja ushtarake e Mlladiqit dhe shpata e tij ishin vendosur mbi arkivol, i cili rrethohej nga ushtarë serbë të veshur me uniforma ushtarake.

Edhe Roth: Nuk e kam menduar kurrë se krimineli Mlladiq do të merrte nderime në Beograd Rajon Roth: Nuk e kam menduar kurrë se krimineli Mlladiq do të merrte nderime në Beograd

Shumë serbë e konsiderojnë Mlladiqin hero, pavarësisht dënimit të tij për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga gjykata e Kombeve të Bashkuara.

"Ai ishte një njeri që dha gjithçka në jetën e tij për popullin serb – në Kosovë, Bosnjë, Kroaci dhe Serbi", ka thënë Milan Dobriq, një qytetar që kishte udhëtuar nga Kosova në Beograd për t'i dhënë lamtumirën. 

"Më gëzon fakti që këtë mëngjes njerëzit po vijnë për të shprehur respekt të veçantë", ka shtuar ai.