Rajon

Mbyllet Kopshti Zoologjik në Shkup, dyshohet për grip të shpezëve

Kopshti Zoologjik në Shkup

Kopshti Zoologjik në Shkup është mbyllur nga mëngjesi i së dielës për shkak të dyshimeve për grip të shpezëve, raporton Alsat M.

Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë janë duke kryer hetime dhe ende nuk kanë dhënë informacion zyrtar.

Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari konfirmuan se inspektorët janë duke bërë kontrolle. Deri më tani, nuk është dhënë asnjë këshillë nëse vizitorët duhet të bëjnë ndonjë kontroll mjekësor

Nga ana tjetër, në një komunikatë nga Kopshti Zoologjik thuhet se inspektorët kanë hyrë në kopshtin zoologjik pa urdhër dhe kanë vrarë disa zogj. Nga aty njoftojnë edhe për kallëzim penal ndaj drejtorit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe inspektorëve.

“Nga mëngjesi i sotëm, pa urdhër, vendim, apo dëshmi tjetër, inspektorët e AUV-së të shoqëruar nga persona me armë hynë në kopshtin zoologjik të Shkupit dhe masakruan zogjtë. Pa justifikim këta persona me urdhër të drejtorit të AUV-së dhe pa prova deri në këtë moment vranë disa dhjetëra zogj që shëtisnin lirshëm në kopshtin zoologjik. Fjala është për speciet dekorative të patave dhe rosave që jetojnë në parkun e qytetit, dhe kanë qasje natyral në kopshtin zoologjik nga parku i qytetit”, thuhet në njoftim.

Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari nuk iu përgjigjën akuzave të Kopshtit Zoologjik.

Ish-drejtori i kopshtit zoologjik, Gjorgi Galetanovski, ka konfirmuar se inspektorët janë në terren dhe ka treguar se personat që kanë qenë të pranishëm në kopshtin zoologjik sot në mëngjes janë evakuuar.

“Me sa di unë ka inspektorë nga AUV, nga shëndetësia nuk e di nëse ka të pranishëm. Po punohet në terren, le të shpresojmë që të mos jetë gripi i shpendëve, por siç e kuptova është bakter vdekjeprurës”, ka thënë Galetanovski. 

Shoqata për mbrojtje të kafshëve, “Anima Mundi” ka reaguar në lidhje me mënyrën se si janë asgjësuar shpezët në Kopshtin Zoologjik të Shkupit, pas konstatimit të autoriteteve për praninë e gripit të shpezëve, respektivisht virusit H5N1.

Nga kjo shoqatë thonë se është bërë terror dhe masakër ndaj shpezëve, ndërsa nuk besojnë se ka prani të gripit të shpezëve, deri në publikimin e dokumentacionit përkatës nga autoritetet.

“Ndonëse në Maqedoni nuk është vërejtur asnjë rast i gripit të shpezëve dhe virusi i gripit të shpezëve është pothuajse pa asnjë rrezik për shëndetin e njeriut, vetëm në një ditë në Kopshtin Zoologjik të Shkupit është bërë masakër mbi shpezët”, thuhet ndër të tjera në reagimin e “Anima Mundi”./Alsat M